Prokurorisë iu është bërë thirrje që të nis hetimet një ditë pas protestës që dje është mbajtur në shesh, nga Lëvizja Vetëvendosje.
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas paralajmërimeve se Lëvizja Vetëvendosje mund të organizojë një protestë gjatë periudhës së pandemisë.
Përmes një reagimi nga PDK-ja kanë deklaruar se është e papranueshme që të tolerohet një aktivitet i tillë masiv publik në një kohë kur qindra mijëra qytetarë të Kosovës nuk mund të qarkullojnë lirshëm, nuk mund të shkojnë në punë, nuk mund të mblidhen për iftar me të afërmit e tyre apo të kryejnë rituale të tjera fetare, si dhe të zhvillojnë lirshëm aktivitete kolektive familjare e sociale.
“PDK po ashtu e konsideron këtë organizim politik të Lëvizjes Vetëvendosje, si përpjekjen e radhës për t’i bërë presion Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen delikate që është duke trajtuar. Ky është një akti i ulët kundër sundimit të ligjit e rendit kushtetues në këtë vend dhe me qëllime për skenar dhune, që vjen disa ditë pas letrës shantazhuese të dërguar prej kryeministrit të shkarkuar Kurti si dhe format e tjera të kërcënimit që ai ka bërë”.
“Zgjedhja e rrugës prej një grupimi politik, nuk mund të zëvendësojë kurrsesi sundimin e ligjit në vendin tonë dhe as mund të pengojë funksionimin e institucioneve tona demokratike”, thuhet në reagim.
Partia e udhëhequr nga Kadri Veseli kanë deklaruar se një organizim i tillë rrezikon jo vetëm të pranishmit por edhe kontaktet tjera sociale të tyre.
“Kjo thirrje për protestë demaskon edhe hipokrizinë e Lëvizjes Vetëvendosjes e cila nga njëra anë bën thirrje për distancë sociale dhe qëndrim në shtëpi e nga ana tjetër në këtë situatë të jashtëzakonshme të pandemisë është duke organizuar një tubim që do ta rrezikonte seriozisht shëndetin publik të qytetarëve”.
“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se, organizimi i një tubimi, në këtë periudhë do të rrezikonte jo vetëm të pranishmit potencial që do të thyenin rregullat e institucioneve shëndetësore për të dalë në tubim, por do të kërcënonte edhe rrethin familjar dhe kontaktet e tjera sociale të tyre.
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut, përfshi këtu të drejtën legjitime për t’u tubuar”, shkruhet në reagim.