Rezultatet preliminare të një testimi klinik të një trajtimi të ri për COVID-19, tregon se po reduktohet në mënyrë dramatike numri i pacientëve që kanë nevojë kujdes intensiv, ka njoftuar kompania nga Britania që po e zhvillon këtë trajtim.
Trajtimi nga kompania bioteknologjike me seli në Southampton, Synairgen, përdor një proteinë të quajtur “interferon beta” që trupi e prodhon kur merr infeksion viral.
Proteina inhalohet direkt në mushkëri të pacientëve me koronavirus, duke përdorur një inhalator, me shpresë që do të stimulojë reagimin e sistemit imunitar.
Zbulimet fillestare tregojnë se trajtimi zvogëlon numrin e pacientëve me COVID-19 që të zhvillojnë sëmundje serioze deri në 79 për qind.
Në hulumtim po ashtu thuhet se reduktohet në mënyrë të dukshme problem me frymëmarrje në mesin e pacientëve që janë trajtuar. Po ashtu është reduktuar edhe numri I ditëve të qëndruara në spital nga ata që kanë marrë këtë lloj trajtimi.
Në prova janë përfshirë 101 vullnetarë të shtrirë në nëntë spitale të Britanisë me COVID-19.
Gjysmës së tyre i është dhënë ilaç, e gjysmës tjetër i është dhënë placebo – një substancë jo aktive.