Provimi i maturës u është anuluar 107 nxënësve, tre vëzhgues janë përjashtuar

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 08:23 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për dy ditë të mbajtjes së provimit të maturës ua ka anuluar testin 107 nxënësve. Sipas MASHT-it, të mërkurën, testi u është anuluar 54 nxënësve, ndërsa të enjten 53 të tjerëve. Po ashtu nga procesi i monitorimit të mërkurën janë larguar tre vëzhgues, ndërsa të enjten kanë nisur procedurat e hetimit ndaj dy administruesve dhe një komisari, shkruan sot Koha Ditore.

Ligji për maturën shtetërore dhe një vendim i nxjerrë vitin e kaluar nga MASHT-i e ndalojnë përdorimin e telefonave në ambientet ku mbahet testimi. Megjithatë, në dy ditët e para të mbajtjes së provimit të maturës, testi është shpërndarë masivisht nëpër rrjete sociale.

Kryetari i Komisionit të maturës shtetërore, Fehmi Hysenaj, ka thënë se ndaj çdo personi që ka prishur rregullat e provimit do të pasojnë ndëshkime. Ai ka thënë se edhe në ditët në vijim do të merren masa.

“Ditën e parë ua kemi larguar dhe anuluar testin 54 nxënësve, janë dënuar 3 administrues, të cilët janë në procedurë të marrjes së vendimeve për marrjen e licencës. Kurse, të enjten, 53 nxënësve u është anuluar testi dhe ndaj dy administruesve dhe një komisari kanë nisur procedurat e hetimit. Të gjithë atyre nxënësve, që ne i kemi ruajtur fotografitë dhe që i kemi identifikuar, do t’u anulohen testet”, ka deklaruar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme