PSD e shpall Kurtin “veteran të rrejshëm”, paralajmëron kallëzim penal ndaj tij për falsifikim

Prishtinë | 31 Mar 2022 | 15:10 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate (PSD) ka zhvilluar një aksioni simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku ka vënë një ID me kryeministrin Albin Kurti si “veteran të rrejshëm”, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka mashtruar për të fituar titullin e veteranit luftëtar.

Sipas tij, Kurti s’ka qenë pjesë e luftës deri në fund siç e parasheh kushti për të marrë titullin e veteranit luftëtar. Molliqaj ka thënë se nëse Prokuroria nuk nis hetimet deri të premten, PSD-ja do të ngrejë kallëzim penal ndaj Kurtit për “falsifikim”.

“Ditëve të fundit ka nisur një fushatë e re prej anës së pushtetit për t’u marrë me listat e veteranëve të UÇK-së. Diskursi i pushtetit na bënë të kuptojmë që veterani është barra financiare mbi kurrizin e Republikës së Kosovës nga e cila duhet të çlirohet vendi. Por, kur barra është pikënisja, mirëqenia nuk është përfundimi”, tha Molliqaj.

“Po të ishte me të vërtetë i angazhuar pushteti që t’i verifikojë këto lista atëherë do të dinte edhe procesin nëpërmjet të cilit do të bëhej kjo gjë. Çka në fakt na mëson mungesa e procesit qëllimi i vërtetë i Kurtit që tash e ca kohë: Denigrimi i veteranit të vërtetë. Edhe nëpërmjet atij të rrejshëm”.

“Por, le të merremi me veteranin e rrejshëm që sot gjendet në krye të qeverisë. Kurti është angazhuar në UÇK në gusht të vitit 1998 dhe ka dhënë dorëheqje prej saj më 2 mars 1999. Siç edhe e parasheh ligji, veteran është personi që ka qëndruar deri në fundin e luftës së UÇK-së. Ne e dimë që lufta ka përfunduar në qershor, pra 3 muaj pasi Kurti ka dhënë dorëheqje”, tha kreu i PSD-së.

Molliqaj ka theksuar se i njëjti ligj definon dhe dënimin që dikush e merr në rast falsifikimit të deklaratës së pjesëmarrjes në luftë.

“Ekzistojnë dëshmi materiale, me dokumente e deklarata, që tregojnë mashtrimin që Kurti ka bërë në mënyrë që të konsiderohet veteran i UÇK-së. Prokuroria duhet të filloj menjëherë hetimin e këtij rasti flagrant të falsifikimit”.

“Nëse hetimi nuk fillon atëherë ne do të dorëzojmë kallëzim penal për këtë çështje”, paralajmëroi Molliqaj.

Të ngjashme