PSD-ja çon në Kuvend rezolutën që e bën atë pjesë të bisedimeve

Prishtinë | 02 Dhj 2018 | 12:29 | Nga Ekonomia Online

Partia e katërt në Kosovë, PSD, po synon ta përfshijë në dialogun me Serbinë edhe Partinë e Isa Mustafës dhe atë të Albin Kurtit.

Partia Socialdemokrate ka dërguar një Projektrezolutë me të cilën synon që opozitës t’ia japë gjysmën e pushtetit në dialogun me Serbinë kurse gjysmën tjetër pushtetit. Ka propozuar bashkëkryesues të dialogut.

“Delegacioni Shtetëror do të bashkë-drejtohet barabarësisht prej (dy) përfaqësuesve që vijnë nga radhët e opozitës parlamentare dhe nga koalicionit qeveritar. Një përfaqësues nga shoqëria civile do të jetë anëtar i rregullt i Delegacionit Shtetëror”, thuhet në propozimin e PSD’së dërguar Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, Nënkryetarëve dhe Shefave të grupeve parlamentare.

Image

Kjo nismë e PSD’së vjen në kohën kur LDK dhe Vetëvendosje po kërkojnë zgjedhje të reja meqë konsiderojnë se pushteti ka humbur legjitimitetin për të udhëhequr me dialogun dhe çështje tjera të rëndësishme.

Sidoqoftë, Partia e Shpend Ahmetit ka shkuar edhe më tej në propozim duke kërkuar formimin e një Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrje të dialogut.

“Sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri unitar shtetëror i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme”, thuhet në dokument.

Aty thuhet se dialogu do të jetë i pranueshëm vetëm kur të ketë “ Njohje të ndërsjellë të shtetësisë nga palët e përfshira në Proces; Anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Zotim të verifikueshëm për përshpejtimin e proceseve integruese të Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian dhe në NATO”, transmeton Gazeta Express.

Ndërsa, në fund sqarohet se marrëveshja përfundimtare e cila mund të arrihet në procesin e Dialogut do të konsiderohet e vlefshme vetëm pas ratifikimit të saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës sipas procedurës kushtetuese për ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare, me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

Ekipi negociator i Kosovës është emëruar muaj më parë nga kryeministri Haradinaj. Në pozitën e kryesuesit ishte Fatmir Limaj, Enver Hoxha zëvendës/kryesues, Begjet Pacolli anëtar, Dardan Gashi anëtar, Mahir Jagxhilar anëtar, Avni Arifi anëtar. Por, tash e një kohë bisedimet nga pala kosovare po udhëhiqën nga presidenti Hashim Thaçi. Për disa herë rradhazi opozita ka dështuar t’i sigurojë votat për miratimin e rezolutës ku do ta bllokonte Hashim Thaçin, që në bisedimet me Serbinë të flasë për çështjen e kufijve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme