Partia Socialdemokrate e Kosovës, ka reaguar lidhur me devijimin e votave të përfaqësimit të minoriteteve .
Përmes një komunikate ata vlerësojnë se kjo gjë nxjerr në pah konfliktin e brendshëm dhe dykuptimësinë e Pakos së Ahtisarit.
Komunikata e plotë:
Devijimi i përfaqësimit të minoriteteve sipas parashikimeve të Planit të Ahtisaarit nxjerr në pah konfliktin e brendshëm dhe dykuptimësinë e vetë këtij Plani. Kosova sipas këtij Plani është edhe shoqëri e qytetarëve, por edhe shoqëri e komuniteteve etnike. Ulëset e garantuara janë aty për shkak të minoritetelve etnike, ashtu që ata të mos mbeten të nënpërfaqësuar. Pra, ato nuk janë rezultat i vullnetit qytetar në përgjithësi, por vullnet i një kategorie specifike brenda tij. Por, duke qenë se kategoria juridike “qytetar” është mbi “komunitetin etnik”, qytetarët tjerë që nuk u takojnë këtyre komuniteve, por me të drejtë vote, kanë votuar për subjekte e përfaqësues që deklarohen se përfaqësojnë minoritetin boshnjak, rom, ashkali dhe egjiptas. Kjo i ka lënë vetë minoritetet për të cilat ishin miratuar këto aranzhime të pa përfaqësuara.
Plani i Ahtisaarit ka parashikuar këta mekanizma përfaqësimi nën supozimin e nevojës për ta mbrojtur pakicën serbe të rrezikuar. Kurse sot shteti i Kosovës nuk arrin t’i mbrojë minoritetet që janë qytetarë të saj prej ndërhyrjeve së Serbisë. Në fakt, ky Plan ishte negociuar dhe përgatitur përballë kërkesave territoriale të Serbisë në negociatat për statusin.
Shteti as partitë nuk po e vrasin mendjen për këtë ndërhyrje në mënyrën se si është konceptuar përfaqësimi i pakicave. Ky fenomen ka ndodhur gjatë gjithë kohës para syve tanë. Para fushatës dhe në fushatë. Qeveria në detyrë është mjaftuar me një reagim të beftë, kurse partia që pritet të qeverisë me vendin nuk sheh as mendon gjë tjetër veç votave të mergatës.
Serbia nuk e ka pranuar Planin e Ahtisaarit, por duke e shfrytëzuar këtë Plan, dhe bashkë me Listen Serbe po e devijon atë. Ajo ka ndërhyrë tek njerëzit më të dobët dhe i ka lënë të pa përfaqësuar. Është Kosova që nuk po i mbron, siç nuk i mbron as gratë, komunitetin LGBTQI, apo të tjerë njerëz të rrezikuar.
Ka kohë që në Kosovë ligji, politika e debati publik argument të vetëm ka forcën. Qofte ajo e shprehur si numër në sondazhe apo votë në zgjedhje; qoftë si fuqi e vendimmarrjes në institucione. Edhe barcoletat të vetmin moral që na japin lidhet me numrin dhe forcën. Si krenaria e luanit mbi veturë, apo si nënçmimi me pragun e pakalueshëm në zgjedhje. Ky disponim nuk e ndërmend askënd që nuk është pjesë e turmës.