Partia Socialdemokrate ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës peticionin me nënshkrime për faljen e gjobave gjatë pandemisë, raporton Ekonomia Online.
Nol Nushi, nga kjo parti tha se po i dorëzojnë mbi 11 mijë nënshkrime të mbledhura nga të gjitha qytetet e Kosovës, për të kërkuar inicimin e Projektligjit për faljen e gjobave gjatë pandemisë.
“Ne si qytetarë dhe aktivistë politik kemi mbledhë nënshkrime në çdo qytet të Kosovës dhe kemi mbledhë mbi 11 mijë nënshkrime të përmbledhura në 16 folderë”.
Sipas Nushit arsyeja e kësaj kërkese është se gjobat ndaj qytetarëve janë shqiptuar në mënyrë jologjike dhe më nuk kanë ndonjë efekt.
“Arsyeja e kësaj kërkese është sepse këto gjoba kanë qenë jologjike dhe kanë qenë të efektshme vetëm në kohën kur kanë ekzistuar masat”.
Nushi shtoi se për të marrë këtë hap i ka shtyrë fushata elektorale e partive politike në të cilën nuk është respektuar asnjë masë e pandemisë dhe askush nuk është dënuar, raporton EO.
“Një rol të madh në shtytjen tonë e ka pasur fushata e partive politike që nuk e kanë respektuar asnjë masë. Janë ndarë më shumë se 200 mijë dënime që i bie se 10 për qind e qytetarëve janë dënuar në ndërkohë nuk kemi vaksina, ndihma ekonomike dhe po gjobiten qytetarët”.
“Është me urgjencë dorëzimi i këtij peticioni dhe bërja e një projektligji. Ne mendojmë që në mënyrë urgjente të futet në rendin e punës të futet në seancë dhe ta votojnë 120 deputet këtë projektligj”.