PSD-ja i bënë me ngjyrë të zezë dritaret e Qeverisë, simbolikë për “terrin informativ” të Kurtit në dialog

Prishtinë | 08 Nën 2022 | 12:06 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate (PSD) ka ngjyrosur me ngjyrë të zezë dritaret e ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se ngjyra e zezë simbolizon terrin informativ nga ana e Qeverisë në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Ai tha se Kosova nuk ka pasur asnjëherë Qeveri më jotransparente.

“Ajo që mund të thuhet me gojën plotë është që Kosova nuk ka pasur Qeveri më të mbyllur për opinionin publik dhe mediet, dhe dialog më të mbyllur nuk ka pasur sesa që është duke e zhvilluar kjo Qeveri”.

“Prandaj në mënyrë simbolike i kemi lyer me të zezë ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, për të treguar se qytetarët dhe mediet janë në një terr informativ”, tha Molliqaj.

“Dritaret e kësaj qeverie i ngjyrosëm me të zezë sepse ajo çfarë ka brenda nuk shihet jashtë. Dialog jodemokratik e jotransparent. Dialog i mbyllur. Qeveri që mirëmbanë terr informativ për qytetarët e mediat. Nuk njeh Kosova situatë të tillë, që nga paslufta. Ndërtesa e qeverisë është bërë hapësirë e bunkerizuar që ikë nga publiku”.

“Jemi në dijeni që prej vitit të kaluar e deri më sot Kurti e Bislimi kanë qenë pjesëmarrës në dialog të fshehtë në Bruksel. Kulminacioni i këtij dialogimi është propozimi franko-gjerman. Publiku asnjëherë nuk u njoftua për përmbajtjen e këtij propozimi përmes kanaleve zyrtare të qeverisë. E pastaj na thonë pse po spekuloni mbi spekulime. Atëherë po komentojmë mbi këtë terr informativ në të cilin është vendosur qytetari”, ka theksuar Molliqaj.

“Prej kur jemi njoftuar si publik për ekzistimin e një plani të tillë, gjithmonë përmes mediave, deklarimet e zyrtarëve të qeverisë kanë qenë të paqarta e kontradiktore. Në fillim, ja mohuan ekzistencën. Kur kjo u bë e pamundur, thanë që ky propozim i shkon për shtati më shumë Serbisë se Kosovës. E tek dje, tërthorazi, Kurti e deklaroi për herë të parë që ky plan nuk është refuzuar”, ka shtuar kreu i PSD-së.

Të gjitha këto përgjigje të dhëna gjatë gjithë kësaj periudhe, sipas tij, janë përcjellur me linçime për opozitën e mediat, me shpallje armiqësh. “E pse e tërë kjo? Për të maskuar një marrëveshje të dëmshme dhe pa njohje të ndërsjellë që do të garantonte paqe të përhershme?”

Molliqaj tha se thirrja e PSD-së është e qartë: “Dialogu duhet të jetë i hapur, gjithëpërfshirës e transparent. Rezultati i tij duhet të sjellë marrëveshje përfundimtare me njohje e paqe”.

Të ngjashme