Partia Socialdemokrate ka mbajtur një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë vendosur para objektit të Qeverisë një baner, që i përngjan një testi për Coronavirus, me mbishkrimin e shtetit ka privatizuar shërbimet shëndetësore për qytetarët.
Zgjim Hyseni, nga kjo parti, tha se Qeveria e Kosovës përveç që ka zhvatur qytetarët nuk ka bërë asgjë që t’i ndihmojë ata e lërë më që të mendojë për rimëkëmbjen ekonomike.
“Në Kosovë, pronarët e kapitalit të madh janë të krijuar nga grabitja e burimeve natyrore dhe ndërmarrjeve publike, por edhe nga abstenimi i shtetit si shërbyes i nevojave bazike të qytetarëve. Gjersa doktrina e mosndërhyrjes së shtetit vazhdon si diskurs, secila ngjarje na e provon se pronarët e mëdhenj në Kosovë i ka krijuar vetë shteti. Diku duke privatizuar ndërmarrje e pasuri, diku duke privatizuar shërbime, e diku përmes tenderëve”.
“Përgjigja e shumë shteteve në kohë pandemie është investim në institucionet publike e forcim i tyre, bashkë me ndihmë për të margjinalizuarit që më së shumti dëmtohen nga pandemia. Qeveria e Kosovës kryesisht s’ka bërë asgjë në këtë drejtim, mos të harrojmë nuk e kemi ende një plan për rimëkëmbje ekonomike. E kur bën diçka, e bën të kundërtën e kësaj”.
SIpas tij, institucionet do të duhej të fokusoheshin në rritjen e kapaciteteve të testimit, raporton EO.
“Licenca monopol për Blerim Devollin është privatizim i shërbimeve mjekësore që iu takojnë qytetarëve. Pasi janë braktisur nga shteti, qytetarët janë bërë klientë, pra shëndeti i tyre është burim fitimi për më të kamurit e kësaj shoqërie”.
“Institucionet që mendojnë për shëndetin publik do të duhej të fokusoheshin në rritjen e kapaciteteve të testimit. Ç’prej fillimit të vitit kur ka rënë pandemia, numri i testimeve ka mbetur i njëjtë. Kjo është ngathtësi dhe paaftësi, tash edhe abuzim”.