Partia Socialdemokrate e Kosovës, ka thënë se ka përcjellë me shqetësim ngjarjet në Tiranë.
Sipas tyre vrasja e te riut nga Policia e Shtetit nuk mundet dhe nuk ka si të jetë një rast i izoluar.
Reagimi i plotë i tyre:
I kemi përcjellë me shqetësim zhvillimet e ngjarjeve 2 ditët e fundit në Tiranë. Vrasja e një të riu nga Policia e Shtetit nuk mundet dhe nuk ka si të jetë një rast i izoluar. Ajo që në pamje të parë duket si aksidenti fatal ka shkaqe strukturore e ideologjike.
Rritja enorme e pabarazisë nën dominimin e shtetit neoliberal e ka si presupozim, por edhe e performon situatën hobsiane të luftës së secilit kundër secilit.
Vajtimi për bredhin në njëren anë, dhe përçmimi që po iu bëhet protestuesve të revoltuar në anën tjetër, tregon për një hendek të madh midis pushtetit dhe vuajtjes së përditshmërisë njerëzore në kushte pandemie. Shkurt, imazhi nuk mund të diskutohet në të njejtën fjali që flasim vrasjen e qytetarit nga Policia e Shtetit.
Përpjekja për një shoqëri të drejtë e barazitare nuk është e plotë nëse nuk do ta rimendojë edhe aparatin shtetëror bashkë me rregullat për të cilat pajtohet shoqëria.
Ndajmë dhimbjen e i shprehim ngushëllim familjes së Klodian Rashës! Solidaritet me protestuesit!