PSD-ja zëvendëson flamujt para Qeverisë, vendos batanije në shtiza

Prishtinë | 24 Dhj 2021 | 14:08 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate (PSD) ka larguar flamurin e Kosovës nga oborri i Qeverisë, duke e zëvendësuar me batanije, duke ironizuar me Qeverinë e cila nuk ka ide për t’u përballur me krizën globale energjetike, dhe i fton qytetarët të ngrohen me batanije.

Aktivistët e PSD-së kanë zhvilluar një aksion para Qeverisë, pas thellimit të reduktimeve dhe krizës energjetike, raporton Ekonomia Online.

Natyra Kuçi, anëtare e Kryesisë së PSD-së, ka thënë se batanijet e vendosura janë simbol i dorëzimit të qeverisë “Kurti” përballë situatës energjetike.

“Sikur flamuri i bardhë që është simbol i dorëzimit, edhe qebet e vendosura pranë qeverisë janë simbol i dorëzimit të Qeverisë Kurtit përballë problemit me energjinë elektrike”.

“Kemi një kryeministër që na udhëzon se mënyra e të mbrojturit nga të ftohti është qebja”.

“Në anën tjetër kemi ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila fajin e hedh tek njerëzit të cilët po e përdorin rrymën për komoditet. Kurse, Mimoza Kusari-Lila hodhi edhe një ‘zgjidhje’ tjetër për këtë problem, se ‘zgjidhja’ e vetme na qenka reduktimi i energjisë elektrike”, tha Kuçi.

Sipas Kuçit, Qeveria Kurti me të gjitha instrumentet e veta është vënë në shërbim të KEDS-it.

“Kemi qytetarë që mërdhijnë së ftohti, kemi biznese të cilat nuk mund të operojnë pa energji elektrike, kemi reduktime të paparalajmëruara. Thoshin që do t’i kemi dy orë mungesë të energjisë elektrike. Kemi zona rurale, por edhe në qytet deri në 10 orë reduktime”.

Ajo e ndau në tri pjesë keqmenaxhimin e situatës nga Qeveria Kurti. “Një keqmenaxhim i pandemisë, një rritje enorme të çmimeve dhe pjesa e tretë është të ftohtit dhe mungesa e energjisë elektrike”.

“Qiriri dhe qebja do të jenë simbol i kësaj qeveria në këtë dimër të ftohtë”, theksoi Natyra Kuçi.

Të ngjashme