Partia Socialdemokrate ka drejtuar akuza në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje, pas votimit në parim të Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Me votimin e këtij Projektligji, Dren Kukaj, anëtar i PSD-së, ka thënë se pushteti synon që Këshilli të jetë në kontrollin politik të kryeministrit Albin Kurti.
“Përmes këtij aksioni politik duam t’i denoncojmë ndryshimet legjislative mbi Këshillin Prokurorial të Kosovës që u votuan dje në lexim të dytë nga deputetët e pushtetit. Me këto ndryshime legjislative, vendimmarrja mbi çështje të rëndësishme të këtij Këshilli (votimi për Kryeprokurorin e Shtetit, Kryeprokurorët e Prokurorive dhe çështjet disiplinore) do jetë e kushtëzuar nga vullneti politik, përkatësisht nga vota e anëtarëve jo-prokurorë të këtij organi. Amandamenti 9 i dorëzuar në lexim të dytë e vulos ndikimin e anëtarëve jo-prokurorë kundrejt atyre që vijnë nga sistemi prokurorial”.
“Mos të harrojmë se këto ndryshime legjislative deri më tani janë ballafaquar me vërejtje serioze, nga Komisioni i Venecias, por edhe nga shoqëria civile. Të gjitha këto vërejtje kanë një emërues të pëbashkët – shqetësimin mbi kontrollin politik të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Për fatin tonë të keq, këto shqetësime nga dje, u bënë realitet”.
“Tash ky Këshill shumë shpejt do jetë nën kontrollin politik të pushtetit të Kurtit. Ky cënim kaq serioz i pavarësisë së sistemit prokurorial do zhvillohet vetëm në dëm të të drejtave fundamentale të njeriut, e në shërbim të pushtetit ‘Krejt dhe Drejt’ “, u shpreh Kukaj, raporton EO.
Tutje, ai tha se ka shumë probleme e parregullsi në organet e drejtësisë, por politizimi i tyre nuk ndihmon në zgjidhjen e këtyre problemeve.
“Sigurisht, organet e sistemit të drejtësisë vuajnë nga shumë probleme e parregullsi, por politizimi i tyre nuk është mënyrë për t’i adresuar këto probleme. Veçanërisht shqetësuese bëhet situata kur flitet për organin e akuzës. Kapja e sistemit prokurorial do t’ia mundësojë pushtetit arrestimet spektakolare dhe damkosjen e njerëzve duke i shpallur fajtor pa vendim meritor të gjykatës.”
“Politizimi i organit të akuzës shkon përkundër prezumimit të pafajësisë dhe parimit të legalitetit. Ky fenomen duhet të jetë shqetësim publik, dhe jo thjesht punë e profesionistëve”, tha ai.