Partia Socialdemokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me tubimet në shumë hapsira të mbyllura, që po organizojnë partitë politike.
Përmes reagimit të tyre ata thanë që qeveria e Kosovës dhe policia po japin shembull të keq mbi respektimin e rregullave të pandemisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Policia si organ ligjzbatues po japin shembullin më të keq sa i përket respektimit të rregulllave për mbrojtjen nga pandemia” thuhet mes tjerash në reagim
Reagimi i plotë:
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Policia si organ ligjzbatues po japin shembullin më të keq sa i përket respektimit të rregulllave për mbrojtjen nga pandemia.
Është mbi 3 milionë vlera e gjobave të shqiptuara për qytetarët. Secili aktivitet shoqëror apo afarist pas orës 20:00 është mbyllur. Secili që nuk ka arritur tamam në orën 20:00 në shtëpi është gjobitur. Qytetarët janë të barabartë para dënimeve. Por, janë disa qytetarë më të barabartë se të tjerët: partitë politike në kohë fushate.
Po bëhen dy javë ç’prej se kanë filluar tubimet ku shohim grumbullime të mëdha në hapësira të mbyllura, gjatë dhe pas orarit. Asnjë gjobë, asnjë vërejtje. Ne nuk e dimë që Ligji për Pandeminë i ka përjashtuar ata. Nuk e dimë po ashtu që ata të mos jenë bartës apo transmetues të virusit. Në këtë drejtim, sjellja e Policisë është jashtëzakonisht problematike. Ata i detyrohen ligjit dhe jo autoriteteve. Partitë e politikanët janë qytetarë si të tjerët, edhe rregullat e pandemisë vlejnë njëjtë për secilin. Kjo vetëcensurë në zbatim të ligjit duhet të ndalojë.
Ky qëndrim nuk kërkon ndalimin e tubimeve ose të aktiviteteve tjera. Çfarë kërkojmë është rregulla të njejta për secilin. Nese duhet tubime, le të ndryshojnë masat.