Erling Haaland është bërë sulmuesi më i kërkuar në futbollin evropian. Real Madridi shpreson ta sigurojë transferimin e tij në vitin 2021, mirëpo tashmë i është shfaqur një konkurrent i madh. Paris Saint-Germaini do të bëjë maksimumin për ta siguruar transferimin e tij, nëse Kylian Mbappe vendos të largohet.
Vendimi i Kylian Mbappes për të mos pranuar ta rinovojë kontratën e tij ka filluar ta shqetësojë bordin drejtues të Paris Saint-Germainit, që tashmë ka filluar të mendojë për opsione për zëvendësimin e francezit, transmeton Gazeta Express.
E përditshmja spanjolle Marca raporton se skuadra e drejtuar nga Thomas Tuchel e ka identifikuar si opsion Haalandin. Sulmuesi norvegjez ka qenë i kërkuar nga klubet e mëdha që kur i shënoi nëntë gola në një ndeshje të vetme të Kupës së Botës U-20, e talentin e tij e ka konfirmuar edhe me paraqitjet për Borussia Dortmundi, që nga transferimi në janar.
Paris Saint-Germaini nuk dëshiron të mbetet prapa në garën për transferimin e norvegjezit. Megjithatë, gjithçka është në dorën e Mbappes, pasi që nëse ai vendosi ta rinovojë kontratën e tij, PSG-ja do të dorëzohet në garën për Haalandin, i cili po kërkohet nga Real Madridi.
Pikërisht Real Madridi e ka komplikuar situatën për PSG-në, pasi që madrilenët duan ta transferojnë Mbappen në verën e vitit 2021, një vit para se t’i skadojë kontrata në Parc des Princes.
Nëse Real Madridi arrin ta transferojë Mbappen, atëherë PSG-ja do të duhet ta blejë Haalandin në mënyrë që ta mbulojë hapësirën që do ta linte bosh francezi pas kalimin në Santiago Bernabeu.