Psikiatria nuk ka vend, të dyshuarit për vepra penale me problem mendore mbesin të lirë

Prishtinë | 11 Nën 2021 | 19:42 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë nuk ka vend për t’i pranuar personat që kanë kryer vepra penale dhe që kanë çrregullime mendore.

Në dy raste ky institucion nuk i ka pranuar dy të dyshuar për vepra penale, njëri për “Tentim përdhunimi ndaj të miturës” dhe tjetri “Grabitje” me arsyetimin se nuk ka vende të lira në Psikiatri.

D.A 22 vjeçar nga Klina i dyshuar për veprën penale “Grabitje” me datë 08.10.2020 kishte një vendim të formës së prerë nga Gjykata Themelore e Pejës Dega në Klinë që të dyshuarit t’i shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim, për shkak se i njëjti vuan nga çrregullimi mendor.

Nga gjykatësja e rastit, vendimi i është bërë i plotfuqishëm me datë 12.11.2020 dhe se ekzekutimi i të njëjtit është aprovuar. Por, institucioni përkatës (Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë) nuk e ka pranuar të dyshuarin me arsyetimin se nuk ka vend në institute, shkruan Gazeta Insajderi.

Gazeta ka siguruar procesverbalin e seancës dëgjimore mbi paraburgimin e të dyshuarit ku në këtë dokument specifikohet se nuk ka pasur vend për pranimun e tij dhe i njëjti është kthyer prapë në qendrën e paraburgimit.

I dyshuari D.A edhe më parë ka qenë pacient i Qendrës së Shëndetit Mendor në Pejë, ku dhe më kërkesë të Gjykatës është vërtetuar se i dyshuari ka përdor dhunë në familje. Po ashtu në dokument të siguruar nga Gazeta thuhet se diagnozë tjetër është varshmëria nga preparatet psikoaktive që nënkupton se pacienti ka qenë përdorues i substancave narkotike.

Jo zyrtarisht merret vesh edhe për një rast tjetër kur Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë nuk ka pasur vend për të pranuar persona që kanë probleme mendore dhe kanë kryer vepra penale.

Një rast tjetër ka ndodhur në Podujevë. Një i dyshuar ka tentuar të dhunoj një të mitur e cila ka kërkuar ndihmë mjekësorë. I dyshuari është arrestuar dhe nga të dhënat mjekësore raportohet se personi ka pasur problem psiqike dhe është kërkuar që të dërgohet në Psikiatri. Por, sipas burimeve të Gazetës Insajderi, i dyshuari është i lirë sepse nuk ka pasur vend për trajtim në Institutin e Psikiatrisë.

Shpend Haxhibeqiri, drejtor i Institutit të Psikiatrisë Forenzike ka thënë se nuk ka informacione për këto raste konkrete por në përgjigjen e tij lë të kuptohet se mund të ndodh që mos të ketë vend në Psikiatri.

AI thotë se nëse nuk ka vende pacienti kthehet prapë në qendrën e paraburgimit.

“Per kete rast nuk kam informata se ku është sjellur apo dërguar andaj nuk mund te jap përgjigje te sakte, por tek ne nuk mund te sillet asnjë pacient pa urdhër gjykate dhe nese nuk ka vende I njëjti drejtohet prapa ne qendrën e paraburgimit nga ka ardhur pra nuk shkon ne liri”, ka thënë ai në përgjigjen e tij.

Në Institutin Psikiatri Forenzike në Prishtinë janë tre reparte ku gjithsej kanë 36 shtretër.

Të ngjashme