Katër mijë dosje, ku pretendohet se janë emrat e dëshmitarëve të mbrojtur nga Gjykata Speciale, këtë të martë janë lënë para Zyrës së Organizatës së Veteranëve të UÇK-së.
Udhëheqës të kësaj organizate, në një konferencë për media, thanë se nuk dinë më shumë detaje se kush i la ato aty.
Ata kanë shtuar se kanë pranuar edhe një letër bashkë me dosjet ku thuhet se gjatë javës do t’u dorëzohen edhe mijëra dokumente të tjera.
Kopje të tyre, sipas zyrtarëve të OVL të UÇK-së, u janë dorëzuar Prokurorisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Publikimi të dhënave të dëshmitarëve të mbrojtur është vepër penale e dënueshme deri në 10 vjet burgim, sipas Kodit Penal të Kosovës.
Në Nenin 392 shkruhet: “Shkelja e fshehtësisë së procedurës 1. Kushdo që pa autorizim zbulon informata për të cilat është njoftuar në procedurën zyrtare, që sipas ligjit nuk mund të zbulohen apo ato informata janë shpallur si fshehtësi me vendim të gjykatës apo të organit kompetent, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit. 2. Kushdo që pa autorizim zbulon të dhëna për identitetin apo të dhënat personale të personit të mbrojtur në procedurë penale apo në programin e veçantë të mbrojtjes, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet. 3. Nëse vepra penale nga paragrafi 2 i këtij neni rezulton me pasoja të rënda për personin e mbrojtur ose procedura penale bëhet e pamundur ose vështirësohet në masë të madhe, kryerësi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. 4. Nëse vepra penale nga paragrafi 3. i këtij neni rezulton me vdekjen e personit të mbrojtur, kryerësi dënohet me burgim së paku dhjetë (10) vjet ose me burgim të përjetshëm”.
Rregullorja e Dhomave të Specializuara parasheh që mbrojtja e dëshmitarëve të bëhet sipas ligjeve të Kosovës.
Nga Specialja kanë deklaruar se nuk duan që ta komentojnë këtë çështje.