Publikohen rezultatet preliminare të granteve për disa sektorë

Prishtinë | 02 Gus 2018 | 16:26 | Nga

Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB) ka përfunduar sot vlerësimin preliminar për një pjesë të projekteve që kanë aplikuar në skemën e granteve për zhvillim rural të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2018, transmeton Ekonomia Online.

Rezultatet preliminare janë publikuar për këto masa: Masa 101-Investimet në Asetet Fizike në Ekonominë Bujqësore, Masa 302 – Diversifikimi i Fermave dhe Zhvillimi i Bizneseve, si dhe Masa për Ujitjen e Tokave Bujqësore. Po ashtu në ditët në vazhdim do të publikohen rezultatet preliminare edhe për sektorë të tjerë, gjë që varet kryesisht nga periudha vlerësuese e projekteve.

Listat preliminare janë të qasshme për publikun nga sot në faqen e AZHB-së dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërkaq në ditët në vazhdim do të publikohen edhe rezultatet preliminare për projektet tjera.

Sipas një komunikate për medie nga MBPZhR, në funksion të rritjes se transparencës me fermerët dhe efikasitetit në implementimin e programit, fermerët aplikues po informohen përmes SMS-ve për publikimin e rezultateve të vlerësimeve preliminare dhe po ashtu, ata janë njoftuar edhe me e-mail për aplikacionin e tyre.

“Në e-mail atyre iu është dërguar vendimi për aplikacionin e tyre e po ashtu edhe poentimi që ata kanë arritur. Kjo gjë e përshpejton procesin e implementimit të programit po ashtu, por më me rendësi e rritë transparencën me fermerët dhe qytetarin. Ndryshe, aplikuesit kanë afat ankese në një periudhë prej 15 dite, që nga dita kur shpallen rezultatet preliminare”, thuhet në komunikatë.

Lista e publikuar është preliminare dhe nuk është finale. Lista finale e projekteve të miratuara do të finalizohet dhe do të publikohet pas përfundimit të afatit të ankesave dhe pas kontrollit të parë në teren.

Të ngjashme