Ende kanë mbetur disa enigma nga aksidenti mes tri veturash në Mramor, nga ku mbetën të vdekur katër persona të një familjeje. Prokuroria, pasi që fillimisht qe deklaruar se fajtor dyshohet të jetë vozitësi tashmë i ndjerë, ka vazhduar hetimet në disa pista.
Për Gazetën Express, ajo ka bërë të ditur rezultatet e para të ekspertizës së komunikacionit, që tregon edhe shpejtësinë e veturës në të cilën ishte ambasadorja turke, si dhe shkaktarin e aksidentit.
Një aksident i ndodhur mbrëmjen 16 nëntorit në magjistralen Prishtinë-Gjilan qe fatal për katër persona të familjes Shala nga fshati Ponesh i Gjilanit. Atë natë u bë e ditur se një nga veturat ishte e Ambasadës së Turqisë në Kosovë, e nga aksidenti të lënduar mbetën edhe vetë ambasadorja Kivilcim Kiliç e tre persona tjerë që ishin në veturë me të.
Deklaratat e para të prokurorisë pas aksidentit thonin se shkaktar ishte tejkalimi që bëri vetura nga ku vdiqën katër personat. Këto deklarata i ka vënë në mëdyshje familja Shala të cilët në një bisedë për Express kanë kërkuar versionin zyrtar të prokurorisë.
Për këtë punë, gjatë ditës së mërkurë kanë dalë edhe rezultatet e para të ekspertizës së komunikacionit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ymer Beka ka deklaruar se shkaktar i aksidentit sipas rezultateve të para po dyshohet që të jetë tejkalimi që ka bërë vetura e tipit Opel Corsa, në të cilën gjendeshin katër anëtarët e familjes Shala.
Sipas tij, kjo ekspertizë është kryer nga dy ekspertë. Të njëjtit kanë konstatuar se në momentin kur ka ndodhur aksidenti vetura Opel Corsa (vetura e familjes Shala) ka qenë në shpejtësi 80 deri në 86 kilometra në orë, vetura ‘BMW’ e Ambasadës deri 60 kilometra në orë, ndërkaq, vetura e tretë e tipit ‘Audi’ ka qenë rreth 100 deri në 110 kilometra në orë.
Shpejtësia e lejuar në këtë pjesë është deri në 60 kilometra në orë, me mundësi tejkalimi.
“Sipas këtij raporti, në bazë të shenjave të para që na kanë sjellë, po del që vetura ‘Opel Corsa’ ka dalë në tejkalim jo të përshtatshëm. Nuk ka qenë në vijë të plotë, mirëpo, edhe pse ka pasur mundësi tejkalimi duhet të shikohen rrethanat, lëvizjet e veturave tjera”, ka bërë të ditur kryeprokurori Beka.
E tejkalimi që e bëri vetura e tipit ‘Opel Corsa’, sipas prokurorisë po del të jetë shkaktari i aksidentit tragjik.
“Vetura ‘Audi’ ka qenë prapa veturës ‘BMW’ kur ka ndodhë kontakti direkt mes tyre. Vetura ‘Opel Corsa’ me ‘BMW-në’ janë ndarë pas goditjes dhe kështu vetura ‘Audi’ i ka rënë vetëm ‘BMW’së’, duke e rrotulluar. ‘Opel Corsa’ gjatë tentim tejkalimit ka dalë në trak të ‘BMW’së’ që u godit më pas nga ‘Audia”, thuhet në ekspertizë.
Vetura ‘Opel Corsa’ ku ishin edhe viktimat gjatë tentim tejkalimit është prekur nga goditja e ‘BMW’së’, ndërkaq vetura e ambasadores u godit më pas edhe nga ‘Audia’.
Ky rast është kualifikuar në prokurori si rrezikim i trafikut publik. Deri më tani nuk është ndaluar askush sepse shkaktar sipas ekspertizës po del të jetë lëvizja e veturës së personave tashmë të ndjerë.
Gazeta Express gjatë ditës ka qenë edhe në familjen Shala. Aty kanë treguar se i kanë disa dyshime rreth këtij rasti.
Ato kishin nisur nga momenti kur vetura e aksidentuar u hoq menjëherë nga vendi i ngjarjes, e pastaj gjatë kohës kur nuk i lanë që t’i shohin familjarët që ishin gjallë në spital, e deri te reagimi i menjëhershëm i prokurorisë që la fajtor shoferin e makinës që tashmë ka ndërruar jetë.