Publikohet raporti për të drejtat në shëndetin seksual e riprodhues – Qelaj: Edhe në Kuvend ka paragjykime

Prishtinë | 14 Pri 2023 | 11:55 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me Fondin për Popullsi të Kombeve të Bashkuara (UNFPA), Zyra në Kosovë, ka publikuar raportin “Të drejtat në shëndetin seksual dhe riprodhues”, raporton Ekonomia Online.

Në fokus të këtij raporti, siç u bë e ditur gjatë prezantimit të tij, janë qasja në informata dhe shërbime kontracepsioni, qasja në abort dhe kujdesi pas abortit, si dhe kujdesi për shëndetin e nënës.

Ndërsa, të dhënat janë marrë kryesisht nga gratë dhe vajzat qe kanë kryer shërbime në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues, por edhe nga ofruesit e këtyre shërbimeve.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se në Kosovë vazhdon të ketë qasje jo të duhur në raport me shëndetin seksual dhe riprodhues. Ai ka theksuar se ka ende paragjykime, deri të mohimi që të debatohet për këtë çështje.

“Gjetjet e raportit kanë treguar se situata është shqetësuese në disa sektorë në lënien pas dore të shëndetit riprodhues dhe seksual, sidomos në drejtim të qasjes, të vetëdijesim, të ofrimit të shërbimeve, trajtimit pa diskriminim por edhe të nivelit ose të përgatitjes, ose profesionalizmit të ofrimit të shërbimeve që në raste të caktuara mungojnë. Prandaj kjo pasqyron neglizhencën, mungesën në disa raste të vullnetit institucional për me investu në këtë sektor duke marrë parasysh rëndësinë që ka kjo thirrje e Avokatit të Popullit që në këtë drejtim autoritetet me qenë më të kujdesshme”.

Ai ka kërkuar nga institucionet që të zbatojnë detyrimet dhe përgjegjësitë që u takojnë sipas ligjit, në mënyrë që të ofrohet qasje e cila garanton trajtim me dinjitet, mos-diskriminim dhe profesionalizëm në shërbimet në shëndetin riprodhues dhe seksual.

“Ajo çfarë vërehet në shoqërinë tonë është që vazhdon të ketë qasje jo pragmatike dhe jo të duhur në raport me shëndetin seksual dhe riprodhues, gjë që u pa edhe në krejt debatet e kohëve të fundit që u zhvilluan qoftë në Parlament të Kosovës qoftë edhe në kuadër të platformave të komunikimit publik, u vërejt se edhe më tej ka paragjykime dhe kjo çështje konsiderohet tabu dhe ka koncepte paragjykimi deri të mohimi të debatohet për këtë çështje që konsideroj është një situatë që ne duhet me tejkalu domosdoshmërisht me angazhim të përgjithshëm”, ka thënë Qelaj.

“Të gjeturat kanë treguar më se miri edhe për detyrën qe kemi si shoqëri për ta trajtuar këtë temë”, ka thënë tutje Qelaj.

Ndërsa, Dafina Gexha-Bunjaku, zëvendësministre e Shëndetësisë, tha se tashmë është formuar grupi punues për adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve të raportit.

“Sikurse te raporti i vitit 2016, edhe ky raport ka treguar se të drejtat në shëndetin seksual janë ende të ndërlidhura me aspektin socio-ekonomik e kulturor të vendit tonë”.

“Me qëllim të adresimit të rekomandimeve nga institucioni i Avokatit të Popullit, Ministria e Shëndetësisë e ka të themeluar grupin punues për hartimin e planit të veprimit për zbatimin e rekomandimeve dhe në vazhdimësi është marrë dhe do të merret me adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve që dalin nga institucioni i avokatit të popullit. Ministria e Shëndetësisë ka dorëzuar raporte të rregullta sipas kërkesës së institucionit të avokatit të popullit, andaj edhe këtë raport e mirëpresim dhe tani kemi filluar adresimin dhe zbatimin e rekomandimeve nga ky hetim”, ka thënë ajo.

Tutje, Gexha-Bunjaku tha se Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar në përmirësimin e situatës për shëndetin seksual dhe riprodhues.

“Si institucion jemi të përkushtuar që ta përmirësojmë situatën dhe kushtet për shëndetin seksual dhe riprodhues. Nëpërmjet Kuvendit po synojmë që të qartësohen edhe të drejtat e grave”.

Visare Mujko-Nimani, udhëheqëse e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, tha se ajo çka e bën raportin edhe më të vecantë, është se ai bazohet në eksperiencën e atyre që marrin këto shërbime por edhe të atyre që i kryejnë po të njëjtat.

“Besojmë që do të ndihmojë në ngritjen e kualitetit të shërbimeve shëndetësore. Ky raport vjen mes një bashkëpunimi të ngushtë mes Avokatit të Popullit dhe UNFPA-së”.

“Është shumë i rëndësishëm sepse te dhënat janë marrë direkt nga vajzat dhe gratë qe kane marrë shërbime në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues, por edhe nga ofruesit e këtyre shërbimeve. Vetëm duke i marrë të dhënat nga të dyja palët mund të kemi një pasqyrë të qartë”.

“Këto të drejta janë të drejta të mbrojtura edhe me Kushtetutë. UNFPA do ta vazhdojë përkrahjen e saj për tu siguruar qe asnjë vajze, grua, djalë apo burrë të mos privohet nga e drejta për shërbime të këtij lloji”.

Ndërsa, siç tha ajo shumë prej rekomandimeve mund të realizohen pa asnjë kosto.

“Shumë rekomandime qe janë dhëne mund të jepen pa asnjë cent, siç është komunikimi më i mirë dhe ruajtja e konfidicalitetit”.

Gjatë prezantimit të raportit, zëvendësavokatja e popullit, Majlinda Sinani-Lulaj, ka bërë të ditur se hulumtimi është bërë në bazë të dëshmive të marra direkt nga gratë dhe vajzat që janë marrëse të shërbimeve shëndetësore si dhe nga ofruesit e këtyre shërbimeve.

Kjo sipas saj është bërë me qëllim që të kuptohet përvoja e qytetarëve mbi kualitetin shërbimeve në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues.

“Sistemi shëndetësor ligjërisht përcaktohet si sistem unik me tri nivele të kujdesit shëndetësor që rregullohet, mbikëqyret dhe kontrollohet nga Ministria e Shëndetësisë. Megjithatë, realiteti tregon se çalon rregullimi, çalon mbikëqyrja dhe çalon kontrolli, anomali në funksionim dhe mungesë në koordinim edhe në planifikim. Nuk është shumë e lehtë me thënë kaq direkt por të gjithë përveç që jemi përfaqësues të institucioneve, organizatave, jemi edhe qytetarë të këtij vendi, shumica prej nesh besoj kërkojmë shërbime në këto institucione dhe të gjithë i njohim praktikisht vështirësitë që ekzistojnë në sistem, i shohim i prekim dhe paramendoni përtej nesh gratë dhe vajzat mund të mos jenë në dijeninë e mjaftueshme kur shkojnë dhe drejtohen apo nuk dinë ku të drejtohen sa u përket çështjeve të ndjeshme sikur shëndeti seksual dhe riprodhues”, ka përfunduar ajo.

Të ngjashme