Koordinatorja Nacionale e Zgjedhjeve, prokurorja Laura Pula, sot ka marrë pjesë në tryezën e organizuar në Gjakovë dhe Pejë nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me Demokracia në Veprim (DNV), me titull: “Drejtësi zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit”.
Në fjalën e saj të mbajtur para pjesëmarrësve, prokurorja Pula ka thënë Prokurori i Shtetit ka ndërtuar një sistem dhe praktike të mirë, e cila do të avancohet edhe më shumë në zgjedhjet e 11 qershorit, për të krijuar një ambient të sigurt, ku qytetarët do të ndihen të lirë për të zhvilluar procesin e zgjedhjeve.
Ajo tha se me qëllim të ngritjes se bashkëpunimit ndërinstitucional, Prokurori i Shtetit ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me KQZ-në, PZAP-in, Policin e Kosovës, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ku janë krijuar procedura standarde të veprimit me qëllim të specifikimit të veprimeve të përbashkëta në të gjitha rastet që ndodhin gjatë procesit zgjedhor.
Koordinatorja Pula po ashtu ka thënë se për zgjedhjet e 11 qershorit “janë angazhuar 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i stafit mbështetës në tërë Republikën e Kosovës dhe së bashku me hetuesit nga Policia e Kosovës do të veprojnë menjëherë në ndalimin e personave të cilët do të veprojnë kundër të drejtës së votimit”.
Sipas prokurores Laura Pula, Kodi i Ri Penal parasheh 11 vepra penale kundër të drejtës së votimit, të cilat konsiderohen krime të renda dhe parashihen dënime të ashpra, andaj për të gjithë shkelësit e mundshëm do të merren të gjitha masat e parapara ligjore.
Në fund të fjalës së saj, prokurorja Pula ka ftuar që çdo parregullsi të raportohet tek vëzhguesit, komisionerët, stafi përcjellës i KQZ-së, Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, nga se si njësi mobile do të reagojnë menjëherë, posa të dyshohet së është keqpërdorë e drejta e votës.