Boksieri bullgar Kubrat Pulev thotë se nuk do të lëshojë rrugën për të lejuar zhvillimin e meçit Anthony Joshua – Tyson Fury.
Pulev është kundërshtar i detyrueshëm i Joshuas, sipas versionit IBF. Meçi mes tyre ishte paraparë të mbahej më 20 qershor, por u shty shkaku i pandemisë.
Është raportuar se Pulevi do të paguhet nga tabori i Joshuas për të lëshuar rrugë, në mënyrë që britaniku të ndeshet me Tyson Furyn, në meçin për unifikimin e gjithë titujve më të mëdhenj të peshës së rëndë në boksin profesionist.
“Nuk e kuptoj pse ende po e shtyjmë në vend se të caktojmë një datë, arenë dhe të nisim punën? Mjaft më. Mezi po pres këtë meç“, ka thënë Pulev, shkruan BBC. “Unë e shoh se si njerëzit po frikësohen nga unë dhe po mundohen që të ndeshen me dikë tjetër para meje. Një kampion i vërtetë nuk duhet të sillet në këtë mënyrë”.
Pulev fillimisht ishte paraparë të ndeshej me Joshuan në vitin 2017, por u tërhoq shkaku i një lëndimi.
Joshua ka në pronë titujt IBF, WBA dhe WBO, ndërsa Fury titullin WBC të cilin e fitoi duke e mposhtur në shkurt amerikanin Deontay Wilder.
Pulev thotë se njëherë lëshoj pe për rimeçin e Joshuas me Andy Ruiz Jr në dhjetor.
“Unë e bëra këtë një herë për Joshuan, që ai të kishte meçin e dytë me Ruiz Jr. Çdo gjë ishte kundër rregulloreve të IBF-it, por unë u pajtova. Ka kaluar një vit dhe gjithmonë kanë arsye për të shtyrë, që të evitojnë përballjen me mua. Janë dy opsione – të ndeshet me mua apo të lëshojë titullin IBF”, ka thënë Pulev.