Pulmologia shkon në pension, Dispanseri i Mushkërive në Prishtinë rrezikon të mbyllet

Prishtinë | 23 Sht 2018 | 16:29 | Nga

Me shkuarjen në pension të specialistes pulmologe gjatë javës së ardhshme, Shkëndije Kursani, Dispanseri i Mushkërive në Prishtinë rrezikon të mbyllet. Kjo do të vështirësojë shumë marrjen e tretmanit mjekësor për personat që vuajnë nga Sëmundja e Tuberkulozit.

“Meqë Kosova ka numër të madh të të prekurve nga kjo sëmundje, në mjekësi familjare nuk mund t’u ofrohet shërbim pacientëve sepse rrezikohen edhe persona të tjerë ka thënë pulmologia”, Shkëndije Kursani.

”Kosova ka numër të madh të të sëmurëve me Tuberkulozë, nuk guxojnë te mjekësia familjare me u dërgua. Sepse, nuk guxon aty një fëmijë i vogël të jetë apo gruaja shtatzënë dhe një i sëmurë me Tuberkulozë. Mua deri më tani asgjë nuk më kanë informuar edhe pse jam e gatshme edhe më tutje të punoj, por nuk e di, edhe pesë ditë më kanë mbet”, tha Kursani.

Pulmologia Rukije Mehmeti, thotë se në Kosovë interesimi i pulmologëve për të punuar me të prekurit nga Tuberkolozi, është mjaft i vogël.

Mehmeti ka vënë në theks se nëse persona që nuk janë specialistë të fushës do të merren me trajtimin e të prekurve nga sëmundja në fjalë do të krijohen probleme të mëdha.

”Kjo nesër ka me ju hakmarrë Kosovës, kemi me pasë numër më të madh me të sëmurë nga Tuberkulozi. Sepse kemi me humbë në radhë të parë nga evidenca. Dhe nuk varet nga unë sepse unë nuk kam fuqi me e rregullu, në QKUK nuk kemi vend ku mund ta vendosim Dispanserin për anti Tuberkuloz. Ne këtu nuk kemi vend as për ne e mos të flasim për diçka tjetër”, ka thënë Mehmeti.

Probleme me mungesë të stafit mjekësor ka edhe në qendra të tjera të Mjekësisë Familjare në kryeqytet. Njëra nga to ajo në Lagjen” Matiqan” ka veç një laborante.

Shefja e kësaj qendre, Arzije Krasniqi thotë se momentalisht Laboratori i Analizave është jashtë funksionit meqë laborantja e vetme në këtë qendër është në pushim.

”Me qenë e drejtë, e drejta laboratori do të ishte mirë të mos mbyllet. Mirëpo në bazë të mundësive edhe ne i ofrojmë shërbimet” shprehet Krasniqi.

Radio Kosova ka tentuar të kontaktojë me Drejtorinë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë për të marrë një përgjigje rreth kësaj çështje por ata nuk janë përgjigjur. Përgjigje nuk kanë dhënë as në Komunën e Prishtinës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme