Puna e lënë përgjysmë në Kosovë

Prishtinë | 07 Nën 2024 | 16:48 | Nga Milazim Krasniqi

Punë e lënë përgjysmë është edhe puna në Kosovë. Marrëveshja në Rambuje nuk u arrit (fatmirësisht.)

Marrëveshja e Kumanovës ka larguar forcat serbe nga Kosova, por pa pasur ndonjë qëndrim për statusin e Kosovës.

Nga ana tjetër rezoluta 1244 ka tentuar të ofrojë një kompromis lidhur me statusin e Kosovës, duke e konceptuar Kosovën brenda RFJ-së po edhe duke e lënë mundësinë e deklarimit të popullsisë, pas një periudhe tranzitore.

Pra, në të gjitha drejtimet puna ka mbetur përgjysmë, gjë të cilën e ka vazhduar edhe Procesi i Vjenës, shumë më keq ai i Brukselit.

Pra, në vend se të organizohej një referendum, ku pas një periudhe trevjeçare të administrimit ndërkombëtar, popullsia të votonte për statusin e Kosovës, ashtu si e lejonte rezoluta 1244, u fillua Procesi i Vjenës, i cili e proklamoi një pavarësi të kushtëzuar.

Për shkak të statusit të kushtëzuar, Kosova nuk arriti të konsolidohej si shtet dhe u bë arenë e lojërave të ndyta, që nga ndikimi i Serbisë, raporti i Dik Martit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës deri te Gjykata Speciale, që janë thikë mbas shpine Kosovës, jo vetëm nga armiqtë e saj, po edhe me dorën e aleatëve të saj.

Puna e lënë përgjysmë, ua hapi portat e eskperimentimeve të derisotme, të cilave nuk po u shihet fundi.

Ndikimi politik i Serbisë në Kosovë sot është më i madh se sa në vitet nëntëdhjetë, kur Kosova ishte e okupuar, por tërësisht refuzuese ndaj çdo tentative serbe.

Të ngjashme