Sot, për herë të parë, erdhën faturat e rrymës për prill me rritje 15.4%. Kur shtohet edhe rritja e tatimit në prona (sa 100%?) dhe rritja astronomike e çmimeve te konsumit si pasojë e hiperinflacionit (disa perime mbi 100%) e bën menaxhimin e jetesës të vështirë dhe vendos presion të lartë financiar për shumicën e familjeve dhe bizneseve.
Ekonomia në anën tjetër është rritur për vetëm pak më shumë se 3%.
Diskrepanca është e lartë. Pagat nuk janë rritur në harmoni me rritjen e çmimit të jetesës dhe konsumit.
Puna jonë kryesore, e institucioneve publike dhe opozitës, është menaxhimi i situatës socio-ekonomike. Zbutja e krizës për familjen. Përkrahja e bizneseve. Kthimi i shpresës…
Gjetja e zgjidhjeve inovative dhe kreative bazuar ne resurset eksistuese në dispozicion dhe gjendjes aktuale është sfida dhe detyra jonë.
Sfidat kërkojnë ekip të përgatitur mirë dhe solucione të qëndrueshme që rrisin besimin në institucionet publike, ekonominë e vendit dhe shtetin e ri të Kosovës.
Shumica e sfidave janë të përbashkëta dhe kërkojnë bashkëpunim dhe bashkërendim të më shumë se një partie politike dhe një institucioni.
Problemet i kemi të përbashkëta, andaj edhe kërkojnë reagim më gjithëpërfshirës dhe inkluzivitet për zgjidhje të qëndrueshme afatëgjate.