Punësimi, arsyeja kryesore e emigrimit

Prishtinë | 19 Jan 2024 | 11:26 | Nga Ekonomia Online

Anisa Zogaj nga Instituti “GAP” ka thënë se sipas anketave të bëra, 28.2% e qytetarëve cilësuan mundësitë më të mira për punësim si arsyeja kryesore e cila i shtynë ata të planifikojnë emigrimin pas liberalizimit të vizave, ndjekur me përmirësimin e cilësisë së jetesës për veten dhe familjen (arsimi, shëndetësia, siguria, etj) me 26.3%, pagat më të larta me 22.4%, zhvillimi në karrierë me 14.1% dhe krijimi i familjes apo bashkimi familjar me 9%.

Në dhjetor 2023, Instituti GAP zhvilloi një anketë për të matur prirjet e qytetarëve për të emigruar qysh në pjesën e parë të vitit 2024 (janar-mars).

“Rezultatet e anketës tregojnë se rreth 28% e qytetarëve të Kosovës mbi 18 vjeç planifikojnë të emigrojnë në këtë periudhë. Kjo shifër del të jetë më e ulët se matjet e bëra më herët nga organizata të ndryshme, sikurse në vitet 2007 (mbi 30%), 2012 (34%), 2014 (43%), dhe 2018 (59%). Bazuar në evidencën nga vitet e mëhershme, ndonëse kjo prirje për të emigruar në vitin 2024 nuk pritet të realizohet brenda vitit, ajo tregon se tendenca për të emigruar mbetet e lartë. Në vitin 2015 i cili poashtu paraqet edhe vitin qe ka shënuar shkallen me të lartë të emigrimit, jo më shume se 4% e popullsisë së Kosovës është larguar. Gjithsesi, duke pasur parasysh se në periudhë 10 vjeçare (2012-2022) nga Kosova janë larguar mbi 338 mijë persona, ky rezultat është indikator shqetësues sepse tregon tendencën e lartë për tu larguar nga Kosova e cila pritet të realizohet brenda disa viteve”, ka bërë ditur Zogaj.

Të ngjashme