Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga LDK, Arban Abrashi, në vazhdën e fushatës për balotazh mbajti të mërkurën një takim me të rinjtë e kryeqytetit, të cilëve u ka thënë se punësimi i të rinjve, rekreacioni dhe të sporti janë prioritet të tij gjatë mandatit katërvjeçar.
Ai ka pohuar se “neve na është dhënë mundësia ta ndërtojmë Prishtinën e nesërme dhe këtë mundësi ne duhet dhe do ta shfrytëzojmë”.
“Sot, Prishtina ndodhet përpara një sfide të re, për kapërcimin e së cilës ne jemi të përkushtuar që bashkërisht të punojmë. Ne kemi dëshmuar që punojmë në shumë fusha për të përmirësuar jetën e njerëzve, të rinisë sonë të mrekullueshme, me investime të mëdha në sport, me rritjen e buxhetit për rini, me subvencionimin e shumë programeve dhe me përfshirjen e saj në shumë nisma rajonale dhe evropiane”, pohoi Abrashi.
Si kryetar i ardhshëm i Prishtinës, Abrashi shprehu përkushtimin e parezervë për të rritur pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje.
Abrashi pohoi se kryefjala e këtij programi është Fondi i Punësimit.
“Kontrata ime 4 vjeçare me qytetarët e Prishtinës, në funksion të zhvillimit ekonomik konsiston në krijimin e Fondit të Punësimit. Ky fond do të krijohet për punësimin e të rinjve të Prishtinës. Brenda mandatit 4 vjeçar do të përkrahen mbi 30,000 persona duke i dhënë prioritet të rinjëve”, ka shtuar ai.
Abrashi është zotuar se në përputhje me rregullativën ligjore, “Pallati i Rinisë” do të kthehet në pronësi të komunës së Prishtinës.
“Një vëmendje të veçantë do t’i kushtojmë edhe zbatimit të Programit tonë për sportin. Ky program parasheh intervenime dhe përkrahje sipas nevojave dhe kërkesave të sportistëve dhe të Klubeve në pajtueshmëri me kriteret e BE-së dhe institucioneve më të larta sportive, siç janë FIFA, UEFA, FIBA, IAAF, EHF etj. Do të investohet në potencialin ekzistues, masivizimin e sportit shkollorë dhe rekreativë dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale në sport”, shoi ai.
Ai tha se është i bindur se më 19 nëntor, rinia dhe qytetarët tjerë të Prishtinës do t’i çojnë në shtëpi dembelët.
“Me mua kryetar, në Prishtinë do të punohet fort. Nuk do të dëgjoni asnjë ankesë. Por, do të keni adresë për ankesat dhe kërkesat tuaja. Me mua kryetar, në Prishtinë do të kthehen projektet e mëdha, të lëna pas dore nga qeverisja në shkuarje e Prishtinës. Prandaj, Ju ftoj të dilni të gjithë e të votoni për të ardhmen e Prishtinës. Vota për mua është votë për zhvillimin e Prishtinës. Për Prishtinën kryeqytet. Metropol”, tha në fund Abrashi.