Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë është shprehur e shqetësuar me pagat e alokuara nga Qeveria e Kosovës, respektivisht nga Ministria e Financave, Punës dhe Tranfereve pas miratimit të Ligjit të Pagave.
Në një njoftim për media Shoqata Sindikale e Administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, i ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, që të korrigjoj listat e pagave të muajit shkurt, që sipas tyre shumë pozita të stafit të administratës së gjykatave kanë pësuar degradim në pozita për koeficienta dhe ulje page.
Ata kanë paralajmëruar se do i ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore duke kërkuar nga institucionet relevante që t’i rishikojnë gradimet dhe koeficientët e përcaktuar, sepse sipas tyre, jo që nuk është arritur paga të dinjitetshme, por ka ulje të pagave në disa pozita.
“Mos zbatimi i vendimit të lartëshënuar nga institucionet relevante dhe injorimi i kërkesave të stafit të administratave të gjykatave dhe prokurorive për një pagë të dinjitetshme dhe kushte më të mira të punës- do na detyroj pa dëshirën tonë ta aktivizojmë grevën e pezulluar me dt.18.03.2022”.
Lidhur me këtë Ministria e Punëve të Brendshme, disa javë më parë kishte paralajmëruar se do të fillojë korrigjimin e listave të pagave.