Punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë greva e protesta, kërkojnë nga qeveria ngritje të pagave

Prishtinë | 03 Mar 2023 | 17:09 | Nga Ekonomia Online

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) pas një takimi që kanë mbajtur të premten kanë paralajmëruar se do të mbajnë protesta dhe greva nëse nuk iu rriten pagat.

“Sot në tubimin informues rreth kerkesave tona morëm mbështetjen e fuqishme të punëtorëve për realizimin e kërkesës për ngritjen e pagave edhe me Protesta dhe Grevë të pandalshme deri në realizim”, kështu ka thënë Sindikata e Re e Kekut përmes një njoftimi në Facebook.

Po ashtu sot gjatë ditës edhe Sindikata e Policisë së Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që shtesat e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, pa asnjë përjashtim, të realizohen me pagën e muajit mars.

Në një komunikatë për media, sindikata ka caktuar një afat kohor për qeverinë për përgjigje në lidhje me këtë kërkesë dhe disa të tjera.

“Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që shtesat e rrezikshmërisë për të gjithë zyrtarët policorë, pa asnjë përjashtim, të realizohen me pagën e muajit mars dhe në asnjë rast të mos ketë zbritje gjatë kategorizimit nga ajo që ka qenë deri më tani, gjegjësisht para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave dhe në mënyrë retroaktive të kompensohet edhe shtesa e muajit shkurt”, thuhet në njoftim.

Këto adresime të kërkesave erdhën pas një takimi që kanë mbajtur të premten anëtarët e Këshillit Drejtues të kësaj sindikate.

Të ngjashme