Punëtorët e RTK-së ende pa paga, SPERTK: Situatë e papranueshme, po përsëritet vazhdimisht

Prishtinë | 06 Kor 2026 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) shpreh shqetësimin e thellë për faktin se edhe sot, më 6 korrik 2026, punëtorët e RTK-së ende nuk i kanë marrë pagat e muajit të kaluar.

Përmes një komunikate për media nga kjo sindikatë kanë thënë se kjo situatë është e papranueshme dhe po përsëritet në mënyrë të vazhdueshme, duke rënduar gjendjen ekonomike dhe sociale të qindra punëtorëve dhe familjeve të tyre. Asnjë punëtor nuk duhet të mbahet peng i neglizhencës institucionale apo i mungesës së përgjegjësisë nga organet kompetente.

SPERTK kërkon përgjegjësi të qartë nga të gjitha institucionet dhe mekanizmat përgjegjës për këtë situatë, si dhe zgjidhje të menjëhershme që pagesat e punëtorëve të realizohen pa vonesa.

Sindikata u bën thirrje organeve drejtuese të RTK-së dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin veprime urgjente për normalizimin e gjendjes dhe garantimin e pagesës së rregullt të pagave, si një e drejtë themelore e çdo punëtori.

Nëse kjo situatë nuk merr zgjidhje shumë shpejt, Kryesia e SPERTK-së do të detyrohet të ndërmarrë veprime sindikale, përfshirë organizimin e bojkotit të punës dhe protestave, me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të punëtorëve të RTK-së.

Punëtorët e RTK-së nuk mund dhe nuk do të jenë viktima të krizave të vazhdueshme financiare dhe institucionale. Respektimi i të drejtave të tyre është detyrim ligjor dhe institucional.

Të ngjashme