Punëtorët teknikë e të sigurimit s’e pranojnë shtesën prej 60 €, paralajmërojnë ndëshkim me votë

Prishtinë | 09 Sht 2021 | 11:55 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha në një konferencë për medie se punëtorët e shërbimit teknik dhe ata të sigurimit fizik të spitaleve e QMF-ve u degraduan me diferencimin për shtesën prej 60 euro, raporton Ekonomia Online.

Ai shtoi se nuk shiten për 60 euro dhe se koha kur kjo kategori e punëtorëve është keqpërdorur ka kaluar.

“Pse punëtoret teknikë dhe të sigurimit fizik të Qendrave të Shërbimit Klinik dhe të ambulantave u degraduan. Jemi të indinjuar jo nga shuma e mjeteve që nuk na dhanë këtë muaj, por që ne jemi prijatarët që po ballafaqohen me Covid-19, andaj ky lloj ndarje nuk i ka hije një Qeverie”, është shprehur ai.

“Ne dhamë gjithçka dhe maksimunim tonë pavarësisht veprimeve të Qeverisë së Kosovës. Ne nuk e shesim veten për 60 euro. Ka kaluar koha kur punëtorët fizik e teknik mund të keqpërdorën”.

“Ne jemi ata që Covidin po e marrim në spitale e po ju çojmë fëmijëve tanë, ne jemi ata që po kemi shpenzime për shërim të tyre dhe herë-herë që po na vdesin familjarët. Hallall mos u qoftë puna jonë. Është marri”.

Azemi më tej ka treguar se shqetësimin e tyre e ka adresuar më instancat më të larta prej presidentes, kryeministrit, ministrit të Shëndetësisë e atij të Financave, por që nuk ka marrë përgjigje.

Pas takimit që u mbajt përfundimisht u vendos që deri më fund të këtij muaji të kryhen detyrat e tyre ashtu siç kërkohet.

“Ne po bëjmë solidaritet me njerëzit që janë të sëmurë në spitalet tona. Kjo marrësi le tu mbetet atyre. Data përfundimtare që të ndryshojnë këto veprime është 30 shtatori”.

Azemi ka thënë se meqenëse jemi afër zgjedhjeve me këto mosrespektime të të drejtave të tyre, do të dinë se si t’ia kthejnë këtë Qeverisë.

“U nis me ‘Krejt dhe Drejt’, po shkon me ‘Krejt dhe Shtrembër’”.

Adem Borovci përfaqësues i 50 punëtorëve që punojnë në Qendra të Mjekësisë Familjare ka thënë se vendimi për 60 euro shtesë është më shumë lëmoshë, raporton EO.

“Jemi të zhgënjyer më vendimin për shtesa. Ne nuk po kërkojmë lëmoshë. Jam i mendimit që deri në fund kemi me i shkuar kësaj çështje”.

Kurse kryearti i Shoqatës së Sigurimit Fizik në QKUK, Sabri Ejupi tha se vendimi prej 60 euro shtesë s’do koment.

“Kemi mbi 250 punëtorë të sigurimit. Çdo pacientë pa kaluar te punëtori i sigurimit fizik nuk ka si me kaluar te mjeku apo motra. Ky vendim nuk ka koment”, ka thënë ai.

Të ngjashme