Punëtorët e spitalit rajonal ‘Sami Haxhibeqiri’ në Mitrovicë, kanë protestuar sot para objektit të këtij spitali, në shenjë pakënaqësie për shkak të sulmit ndaj dy infermierëve në vendin e tyre të punës, nga familjarët e pacientëve.
Sabrije Hakaj, anëtare e Sindikatës së punëtorëve në këtë institucion, ka thënë se do të përdorin të autoritetin në mbrojtje të punëtorëvë shëndetësorë.
Ajo kërkoi po ashtu nga pacientët dhe përcjellësit e tyre që të sillen drejt duke respektuar të drejtat e tyre me ligje, por jo duke sulmuar ata nga të cilët kërkojnë ndihmë.
Sami Thaçi, nga Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK), duke dënuar po ashtu sulmin ndaj kolegëve, ka bërë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprime konkrete ndaj të gjithë atyre që sulmojnë profesionistët shëndetësorë. Sipas tij, rastet e tilla shtojnë pasigurinë dhe vetëm sa i kontribuojnë më shumë largimit të infermierëve nga vendi, dukuri kjo që po ndodhë kohët e fundit në Kosovë.
Në anën tjetër, zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, tha se policia ka reaguar menjëherë, duke arrestuar dy të dyshuarit për sulm ndaj punëtorëve të spitalit.
Ai shtoi se pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, raporton KP.
Të mërkurën mbrëma rreth orës 20:00 janë sulmuar fizikisht infermierët F.M. dhe A.H., të cilët kanë marrë lëndime trupore dhe janë trajtuar në spital.