Ashtu siç kishin paralajmëruar ditë më parë punëtorët shëndetësorë kanë hyrë në grevë 24 orëshe.
Të gjitha qendrat spitalore, përpos asaj emergjente dhe dializa i janë përgjigjur kësaj greve, duek shprehur edhe njëherë pakënaqësitë e tyre për gjendjen e punëtore të këtij sektori.
Kryetari i Këshillit Drejtues të Grevistëve, Sabri Cakaj, ka thënë për Ekonomia Online se punëtorët shëndetësorë i janë përgjigjur grevës së ditës së sotme, duke se në rast se Ministria e Shëndetësisë nuk ndërmerr masa brenda 24 orëve atëherë greva do të jetë më e ashpërsuar.
“Të gjithë mantelbardhët, përpos atyre qendrave spitalore të cilat kanë raste specifike, siç është dializa por edhe emergjenca, iu janë bashkuar grevës tonë. Kërkesat tona i konsiderojmë që janë të nevojshme dhe nëse Ministria nuk i përgjigjet kërkesave tona të cilat i kemi adresuar tash e sa kohë, greva do të jetë edhe më e ashpersuar. Nuk duam që pacientët të pësojnë sepse mund të vijmë deri në pikën që as shërbimet vitale të mos jenë në dispozicion”, ka thënë Cakaj.
Në anën tjetër pacientët të cilat janë të shtrirë në Klinikën e Ortopedisë kanë treguar se pavarësisht grevës, shërbimet për ta kanë qenë të kënaqshme dhe nuk është vërejtur mungesa e mjekëve.
“Këtu shërbimet edhe sot kanë qenë njëjtë sikurse ditët e tjera, na kanë kontrollua ashtu siç do ditë tjetër. Këta ndoshta janë në grevë por ne nuk po e ndiejmë mungesën e tyre”, ka thënë Isuf Kamberi, pacient.
Se shërbimet janë kryer ashtu siç thonë pacientët e ka konfirmuar edhe infermierja kujdestare në këtë klinik.
“Shërbimet janë dhënë ashtu si do ditë tjetër, është bërë matja e shtypjes së gjakut, kontrollet e përditshme të cilat janë bërë. Greva nuk është duke penguar dhe ndikuar në shërbimet e pacientëve të cilët janë të shtrirë në këtë klinik”, ka thënë Lirije Kajtazi.
Kjo grevë ka filluar sot në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të mbarojë të në mëngjesin e ditës së nesërme, e premte.
Ndërsa Ministria e Shëndetësisë vlerëson se punëtorët shëndetësorë nuk kanë arsye të protestojnë e as të mbajnë greva.