Pushimet verore të deputetëve shtyjnë votimin për dy gjyqtarë të Kushtetueses

Prishtinë | 11 Gus 2021 | 17:07 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese vazhdon të jetë e pakompletuar pasi ish-kryetares se këtij institucioni, Arta Rama-Hajrizit, i skadoi në qershor mandati dhe Bekim Sejdiu dha dorëheqje nga posti i gjyqtarit. E Komisioni i Posaçëm i Kuvendit tashmë ka dërguar listën e ngushtë të kandidatëve për gjyqtar në Kushtetuese. Ata priten të votohen nga deputetët e legjislaturës së tetë gjatë sesionit vjeshtor.

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që votimi për dy gjyqtarë të Kushtetueses të ndodh pasi që deputetët të kryejnë pushimet verore.

Kuvendi i Kosovës i tha Gazetës Online “Reporteri.net” se procesi i votimit të kandidatëve për gjyqtar të organit më të lartë të interpretimit të Kushtetutës është pezulluar dhe se pritet hyjë në agjendën e këtij institucioni pas fillimit të sesionit vjeshtor.

“Me vendim të Kryesisë së Kuvendit, për shkak të pushimeve, afatet procedurale lidhur me këtë process janë pezulluar deri në fillimin e sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit. Pas fillimit të sesionit, zgjedhja e dy gjyqtarëve pritet të hyjë në agjendën e Kuvendit”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit për Reporteri.net.

Profesori universitar i së drejtës kushtetuese, Florent Muçaj, deklaron se është e rëndësishme që procesi i përzgjedhjes së gjyqtarëve të rinj të ndodh sa më shpejt, teksa sqaron se afatet procedural për këtë çështje përcaktohen me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

“Për demokracinë Kushtetuese të Kosovës është mëse e rëndësishme që sa më parë të kompletohet përbërja e Gjykatës Kushtetuese për shkak të rëndësisë që ka ky institucion në mbrojtjen e demokracisë dhe kushtetutshmërisë”, tha Muçaj.

Tutje Muçaj shton se pas pushimeve të verës, Kuvendi duhet që në afat sa më të shpejtë të përmbyllë këtë proces në mënyrë që të kompensohet koha e humbur ndërmjet dy sesioneve.

“Sipas praktikës parlamentare që tek ne është burim i së drejtës, në mes të sesioneve zakonisht Kuvendi i Kosovës shkon në pushim dhe në këto kushte asnjë proces ose votim nuk mund të kryhet. Megjithatë për të kompensuar këtë kohë të humbur, mendoj që Kuvendi duhet që me afat sa më të shpejt, pas fillimit të sesionit vjeshtor të Kuvendit duhet të përmbylle procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Muçaj për Reporteri.net.

Në garë për t’u bërë pjesë e Kushtetueses janë gjashtë kandidatë, të cilët Komisioni i Posaçëm, pas intervistimit me shkrim dhe me gojë, ia ka rekomanduar Kuvendit për votim në seancë.

Hilmi Jashari, Etrur Maloku, Bashkim Hyseni, Vigan Qorrolli, Bardh Bokshi dhe Shukri Sylejmani janë kandidatët e propozuar për votim.

Kujtojmë që në qershor ka dështuar tentimi i parë për ta zëvendësuar Arta Rama-Hajrizin, pasi që asnjëri nga kandidatët nuk mori votat e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese.

Të ngjashme