Partitë në pushtet po vazhdojnë të shkelin ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbim Diplomatik duke emëruar për ambasadorë militantë politik e partiak dhe duke injoruar kërkesën ligjore që mos të tejkalohet kuota prej 50% në emërime politike. Sot, nënkryetarja e Komisionit nga radhët e AAK-së ka thirre mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme për intervistimin edhe të dy kandidatëve për ambasadorë politikë të propozuar nga MPJ.
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike e Kosovës e konsideron këtë proces të paligjshëm dhe për këtë arsye Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, deputetja Vjosa Osmani dhe anëtarja e këtij komisioni deputetja Doruntinë Maloku, kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë mbledhje dhe të bëhen pjesë e shkeljeve ligjore.
Neni 7.7i Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës kërkon që së paku 50% të të emëruarve si shefa misionesh të jenë Ambasadorë të karrierës, ndërsa pjesa tjetër të jenë të emëruar politik. Meqenëse përqindja e të emëruarve politikë në Ambasadat e Kosovës anekënd botës tashmë është tejkaluar dhe arrin në rreth dy të tretat , gjë të cilën e ka konfirmuar edhe vet Ministri i Jashtëm, Pacolli, përfaqësueset e LDK-së në Komision, kanë propozuar që mos të ketë emërime të reja politike derisa të rregullohet kuota prej 50/50, e kërkuar me ligj. Ashtu si edhe në të kaluarën, Grupi Parlamentar i LDK-së konsideron se nënshkrimi i rekomandimeve të tilla nga ana e Presidentit të Kosovës, bie ndesh me ligjin dhe tejkalon kompetencat e tij kushtetuese.