Autoriteteve politike u janë shterur justifikimet për dështimet që rrugën evropiane të Kosovës e kanë futur në paqartësi. Gishtin e kanë drejtuar nga vetja kur kanë përmendur fajtorin që ka prodhuar këtë realitet, shkruan sot Koha Ditore.
Vetëfajësimi është dëgjuar të premten nga eksponentë të pushtetit e të opozitës, të cilët në Komisionin parlamentar për integrime evropiane kanë diskutuar rreth Agjendës së zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Ky dokument do të publikohet më 6 shkurt. Në draftet e tij nuk përmenden afate kohore brenda të cilave Kosova mund të anëtarësohet dhe as detyra konkrete që duhen përmbushur. Ndryshe nga kjo, për Malin e Zi dhe Serbinë është precizuar se anëtarësimi mund të ndodhë deri në 2025-n.
Dhurata Hoxha, ministre e Integrimit Evropian, ka diskutuar me deputetët në lidhje me Strategjinë, së cilës BE-ja është duke ia dhënë dorën e fundit. Ajo ka shprehur pritjen se dokumenti do ta njohë progresin e arritur dhe do të konfirmojë avancimin e procesit integrues të Kosovës.
Megjithëkëtë, ka thënë të jetë plotësisht e vetëdijshme për kufizimet objektive, përkatësisht pengesat nga 5 vendet anëtare që nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, por njëkohësisht ka shprehur bindjen që, nëse sigurohet përmbushja e detyrave të shtëpisë përmes zbatimin rigoroz të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Bashkimi Evropian do të gjejë mënyra për të avancuar më tutje procesin integrues të vendit.