Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka akuzuar Bashkimin Europian se po ka “standarde të dyfishta” duke i mohuar pavarësinë Katalunisë, por duke mbështetur atë të Kosovës.
“Do të duhej të kishit menduar më herët për këto probleme”, ka thënë Putin, duke folur për Bashkimin Europian, në një fjalim në Klubin e Diskutimit në qendrën e studimeve Valdai në Sochi.
Ai gjithashtu ka shtuar se përkrahja e pavarësisë së Kosovës nga Bashkimi Europian iu ka jep zë të gjitha lëvizjeve separatiste të tjera.
“Ju (BE-ja) keni mirëpritur shkatërrimin e shteteve në Europë. Ishit aq pa kokë duke përdorur këtë situatë politike dhe dëshirën për ta kënaqur vëllanë e madh nga Uashingtoni sa që keni përkrahur njëzëri ndarjen e Kosovës, duke provokuar kështu procese të tilla në rajon”, deklaroi Putin.
“Sipas disa kolegëve tanë paska luftëtarë të vërtetë që luftojnë për liri dhe të tjerë që janë separatistë dhe nuk dinë ta arsyetojnë të drejtën e vet për ndarje, madje as me mjete demokratike. Ky është kulmi i standardeve të dyfishta dhe ata na kanë vënë para një risku të madh për zhvillim të qëndrueshëm në Europë dhe kontinente të tjera”.