Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka zhvilluar biseda telefonike me liderët e Katarit dhe Bahrejnit, ku ka theksuar nevojën për diplomaci në mënyrë që t’i jepet fund mosmarrëveshjes mes Katarit dhe disa vendeve të tjera arabe, njofton Kremlini.
Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni i shkëputën marrëdhëniet me Katarin muajin e kaluar, duke e akuzuar atë për përkrahje të terrorizmit dhe Iranit, transmeton Express.
Moska dëshiron marrëdhënie të mira edhe me Katarin edhe me Arabinë Saudite, prandaj po përpiqet ta trajtojë me kujdes këtë mosmarrëveshje.
Rusia e mbështet presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad, në konfliktin gjashtëvjeçar në Siri dhe është e afërt me Iranin, i cili ka marrëdhënie të tensionuara me sauditët.
Moska i shiti aksione të kompanisë së vet shtetërore të naftës, Rosneft, Katarit vitin e kaluar dhe është duke e bashkërenduar uljet e prodhimit të naftës me sauditët si pjesë e paktit global për t’i rritur çmimet e naftës.