Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se qëndrimi aktual ndaj programeve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut çon kah një “konflikt i shkallës së gjerë”.
Në një artikull të botuar në ueb-faqen e Kremlinit, Putin, në mënyrë jodirekte, kritikoi paralajmërimet e SHBA-së për veprim të mundshëm ushtarak dhe tha se rritja e presionit mbi Phenjanin nuk do ta zgjidhë problemin.
Komentet vijnë pasi Koreja e Veriut ka lëshuar këtë javë një raketë mbi Japoni dhe ka kërcënuar ishullin amerikan Guam.
Putin tha se kriza mund të zgjidhet vetëm përmes “dialogut të drejtpërdrejtë midis palëve, pa parakushte”.
“Provokimet, presioni, retorika sulmuese nuk çojnë askund”, tha Putin.
Koreja e Veriut ka kryer disa prova raketore kohëve të fundit, por të martën ka qenë hera e parë që ajo ka lëshuar mbi Japoni një armë balistike.