Serbia nuk po bën asgjë për të ndaluar qytetarët e saj nga luftimet në Ukrainën Lindore, ndërsa Moska po “përdor Serbinë” për betejat e saj diku tjetër, ka thënë ambasadori i Ukrainës, Oleksandër Aleksandrovik.
“Serbia nuk po bën sa duhet për të zgjidhur këtë çështje”, thotë Aleksandrovik, i cili tregon për fenomenin e serbëve që udhëtojnë në Ukrainë dhe duke luftuar në krahun e forcave pro-ruse.Kievi e ka paralajmëruar Serbinë për këtë problem në mënyrë të përsëritur por pa dobi, shton ai. Fati i vullnetarëve serbë që luftonin për forcat pro-ruse në Ukrainë përsëri erdhi në fokus më parë këtë muaj pasi shërbimi i sigurisë i Ukrainës raportoi se gjashtë qytetarë nga Serbia dhe Bosnja kanë luftuar në Ukrainë për një formacion paramilitar rus. Aleksandrovik, gjatë një interviste për BIRN-in ka thënë se sipas informacioneve të tyre, rreth 300 serbë po luftojnë aktualisht në konfliktin në Ukrainë. E një aktivitet i tillë po konsiderohet terrorizëm nga Ukraina.
Në vitin 2014, Serbia miratoi një ligj që ua ndalonte qytetarëve të saj të luftonin në fushat e betejës së huaj. Por Serbia vazhdon të injorojë këtë problem, tha ambasadori, duke shtuar se ai beson se lidhjet aktuale midis serbëve dhe Rusisë janë një pengesë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Siç kanë raportuar së fundmi mediat e huaja, shumë vullnetarë, sidomos nga Serbia thonë se u bashkuan me rebelët për shkak të simpative me Rusinë dhe nga një ndjenjë e vëllazërisë së krishterë ortodokse.
Shumica e serbëve e perceptojnë Rusinë si një aleat kyç të vendit të tyre, veçanërisht në betejën për të parandaluar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. E ambasadori theksoi se propaganda ruse dhe shërbimet e saj sekrete kanë luajtur një rol të madh në tërheqjen e mercenarëve të huaj në Ukrainë. “Ndoshta disa mercenarë vendosën të vinin në Ukrainë, sepse ata ishin të trilluar nga tregime të rreme në TV Sputnik apo Rusia Today”, tha ai. Më pas ai renditi atë që sheh si veprime të ndryshme destabilizuese të Rusisë në Ballkan. “Rusia trajnon mercenarët serbë për të vrarë ukrainasit. Rusia përdori ekstremistët serbë për të bërë një grusht shteti në Malin e Zi.
Rusia inkurajon separatizmin serb në [njësinë boshnjake të dominuar nga serbët] të Republika Srpska për të destabilizuar Bosnjën dhe Hercegovinën.
“Rusia përdor faktorin serb për të destabilizuar Maqedoninë, Rusia luan një rol aktiv në vendosjen e kosovarëve serbë ndaj kosovarëve shqiptarë. Rusia shet aeroplanë të saj në Serbi për të krijuar tensione me Kroacinë”. Sipas Aleksandrovik, këto janë vetëm disa nga arsyet pse zyrtarët perëndimorë e kanë paralajmëruar Serbinë për rreziqet e aleancës së saj komode me Rusinë.
Ambasadori ukrainas thotë se Rusia po përdor Serbinë për të krijuar kaos dhe për të nxitur një luftë të re në Ballkan. “Putini nuk brengoset për Serbinë”, insistoi ai, duke shtuar se Presidenti i Rusisë po përdor Serbinë vetëm si “një instrument tjetër për të shkatërruar Evropën”. “A është vërtet ajo që dëshiron populli serb? Ju lejoni Rusinë t’ju përdorë për të shkatërruar Evropën ku dëshironi të studioni dhe të punoni. Nuk ka kuptim. Prandaj zyrtarët perëndimorë kërkojnë që Serbia të mos ulet në dy karrige”, shpjegoi ai.