“Putini është vrasës”! Protestë në Podgoricë kundër presidentit rus

Prishtinë | 20 Gus 2023 | 17:40 | Nga Ekonomia Online

Një protestë kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, është mbajtur të dielën në qendër të kryeqytetit të Malit të Zi, Podgoricë, me sloganin “Putini është vrasës”.

Dhjetëra persona u mblodhën në sheshin qendror të Podgoricës duke mbajtur në dorë banerë që kërkonin lirimin e Alexei Navalny, liderit të burgosur opozitar rus.

Protesta e 20 gushtit ishte pjesë e një fushate të organizuar nga ekipi i Navalny në gjithë botën me sloganin “Putini është vrasës”. Këto protesta po mbahen për ta shënuar trevjetorin e tentim vrasjes të Navalny, për çka ai ishte evakuuar nga Rusia në Gjermani për t’u shëruar nga helmimi me një agjent nervor të epokës sovjetike.

Më 17 gusht, SHBA-ja i sanksionoi katër rusë për të cilët thotë se ishin të përfshirë në helmimin e Navalny, dhe të cilët janë të lidhur me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë.

Kremlini e ka mohuar përfshirjen në helmimin e Navalny, i cili u arrestuar pasi u kthye në Moskë nga Gjermania në janar 2021.

“Putini po vret. Ai po i vret mijëra njerëz – ukrainasit dhe qytetarët e vet”, thuhej në njoftimin e ekipit të Navalny për thirrjen e protestave.

Leonid Volkov, ish-shef i fushatës zgjedhore të opozitës ruse, shkroi në rrjetet sociale se është e rëndësishme të theksohet me zë të lartë se “Putini është vrasës”, sepse, siç thotë ai, vetëm një e treta e qytetarëve të Evropës Perëndimore janë të gatshëm ta thonë këtë në protesta, sipas një studimi të ekipit të Navalny.

Alexei Navalnyt i janë shqiptuar dy dënime me burg, me 11 vjet dhe 19 vjet, nën akuzat për ekstremizëm dhe përvetësim.

Ai e ka hetuar korrupsionin në autoritetet ruse dhe i ka cilësuar akuzat ndaj tij si të nxitura politikisht./REL

Të ngjashme