Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të enjten ka marrë vendim me të cilin e ka pranuar si të bazuar ankesën e BIRN-it dhe Internews Kosovës, duke i shqiptuar Listës Serbe gjobë në vlerë prej 25 mijë eurove.
Gjoba i është shqiptuar Listës Serbe për shkak të shkeljes së kodit të mirësjelljes për subjekte politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët.
Më 07 qershor 2017 BIRN dhe Internews Kosova kanë dorëzuar ankesë në PZAP në të cilën pretendonin se subjekti politik Lista Serbe ka publikuar një spot zgjedhor me mesazhe kërcënuese për moskrijimin e Ushtrisë së Kosovës dhe kundër funksionalizimit të plotë të shtetit të Kosovës.
Në spot po ashtu bëhet thirrje për ruajtjen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, ndërsa Kosova quhej “Kosova dhe Metohia”.
Ankesa e BIRN dhe Internews Kosova i bën me dije Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se spoti i Listës Serbe ka mesazhe që nxisin provokim dhe urrejtje ndaj ekzistencës së shtetit të Kosovës dhe është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
PZAP-i në arsyetimin e vendimit bën me dije se e ka njoftuar Listën Serbe për ankesën që është bërë ndaj saj dhe i ka lënë një afat të caktuar kohor për t’u përgjigjur, mirëpo Lista Serbe nuk kishte paraqitur përgjigje në ankesë.
Lista Serbe, obligohet që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi të PZAP-it të paguajë gjobën në shumën prej 25 mijë eurove.