PZAP-i dënon Listën Serbe për zgjedhjet në veri

Prishtinë | 22 Maj 2019 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), gjatë zgjedhjeve në veri ka pranuar gjithsej pesë ankesa. Siç bëhet e ditur nga PZAP, tri prej ankesave kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore ndërsa dy të tjera me procesin zgjedhor. PZAP ka dënuar Listën Serbe për tri ankesa, e që vlera e tyre arrin shumën prej 6,150,00 euro.

PZAP ka vendosur përkitazi me ankesën e KDI-së, paraqitur kundër subjektit politik Lista Serbe, për shkak të vendosjes së pllakateve të subjektit politik në shtylla elektrike dhe në rrugë publike për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicën e veriut, Zubin Potok, Leposaqviq e Zveçan.

PZAP në këtë rast, i ka shqiptuar gjobë Listës Serbe në blerë prej 2 mijë e 100 euro, të cilën detyrohet ta paguajë në afat prej 15 ditëve nga data e pranimit të këtij vendimi nën kërcënim të përmbarimit, raporton Koha.net.

Më datë 17 maj 2019, dy ditë para zgjedhjeve në veri, PZAP-i ka pranuar ankesën nga KDI-ja me të cilën pretendohet se me datë 16 maj, në rrugën Knjaz Millosha dhe Krala Petra në Mitrovicën e Veriut, gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore kanë hasur në pllakata me emër të subjektit politik Lista serbe të ngjitur në hapësirë publike, më konkretisht në shtyllë elektrike.

PZAP-i tregon se e ka njoftuar Listën Serbe për këtë ankesë të parashtruar, dhe i ka kërkuar që të përgjigjet deri më datë 18 maj në orën 16:00 mirëpo subjekti politik nuk ka ofruar ende asnjë përgjigje.

Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme përcakton “Veprimet e ndaluara nga ana e subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore që ndalon vendosjen e pllakatave, posterave dhe njoftimeve në apo mbi rrugë publike”.

Duke qenë se fotografia e Goran Rakiqit është vendosur në shtylla elektrike e rrugë publike, kjo paraqet shkelje të LZP-së.

Dënimi tjetër prej 2 mijë e 50 euro për Listën Serbe është marrë për shkak se gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore është vërejtur parregullsi, ku në Zubin Potok, magjistralja për Zupq, janë vendosur pllaka në emër kandidatëve të kësaj partie nëpër shtylla elektrike, veprim ky i ndaluar me ligj.

Ndërsa, dënimi i tretë për këtë parti është shuma 2 mijë euro, vendim i marrë nga PZAP. Arsyeja është e ngjashme me ankesat e tjera, për vendosje të fotografisë dhe emrit të kandidatit nëpër hapësirë publike, si në shtylla të ndriçimit publik.

“Me datën 17, PZAP ka pranuar një ankesë nga IDK në Prishtinë, me të cilën pretendohet se me datë 16.05.2019, gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të disa komunave të Kosovës, kanë vërejtur një parregullsi të cilën e ka evidentuar edhe me fotografi. Sipas parashtruesit të ankesës, në rrugët Knjaza Milosa, Lole Ribara, Krajla Petra, në pjesën e qendrës së qytetit të Mitrovicës se Veriut, monitoruesi i tyre ka hasur në pllakat me emër të subjektit politik Lista Serbe, të ngjitur në hapësira publike edhe atë në shtyllat e ndriçimit publik”, thuhet në arsyetimin e PZAP-it.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme