Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar si të pabazuar apelin e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje rreth 4639 pakove me vota të ardhura nga diaspora.
Sipas PZAP-së, ky vendim është marrë pasi që ato pako me vota kanë arritur në KQZ nga data 8 tetor deri më 11 tetor, gjegjësisht pas përfundimit të procesit zgjedhor të mbajtur më 6 tetor.
PZAP-ja, në arsyetimin për refuzimin e apelit të VV-së, ka thënë se kontestuese në këtë rast mbetet “vetëm çështja e vlefshmërisë së këtyre pakove me fletëvotime si të rregullta pasi që në KQZ të njëjtat janë pranuar pas afatit të paraparë ligjor për pranimin e pakove me fletëvotime nga votuesit jashtë Kosovës”.
“Paneli konstaton se pretendimet e paraqitësit të apelit janë të paqëndrueshme dhe të pabazuara në ligj, ngase KQZ-ja drejt ka vepruar kur pakot me fletëvotime prej 4639 të votuesve jashtë Kosovës, të cilat në KQZ janë pranuar nga data 08.10.2019 deri më datë 11.10.2019 që nuk i ka bartur në QNR për procedim të rregullt dhe numërim sepse: me nenin 96 paragrafi 2 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LPZ), përcaktohet se: ‘Vota përmes Votimit Jashtë Kosovës duhet të pranohet nga KQZ-ja para ditës së zgjedhjeve sikurse përcaktohet me anë të rregullave të KQZ-së”, ndërsa në nenin 4 paragrafi 4 i Rregullores Zgjedhore Nr.03/2013, përcaktohet se: ‘Votat jashtë Kosovës duhet të pranohen nga KQZ-ja 24 orë para ditës së zgjedhjeve’. Nga këto dispozita të lartcituara, rezulton se pakot e fletëvotimeve të pranuara në kutinë postare 351, Posta Nr.6 në Prishtinë, e cila është hapur nga KQZ-ja për pranimin e fletëvotimeve nga jashtë vendit, andaj mbërritja e çdo pakoje postare me fletëvotim në këtë adresë brenda afateve tëpërcaktuara ligjore konsiderohet e vlefshme, ndërsa fletëvotimet të cilat kanë arritur në këtë adresë pas afatit të përcaktzuar me nenin 96 prarag.2 të LZP-së dhe nenit 4.4 të Rregullës Zgjedhore nr.03/2013, siç është rasti me fletëvotimet për të cilat është ushtruar apeli që janë pranuar pas ditës së zgjedhjeve të datës 06.10.2019, janë të pranuara pas agatit ligjor, prandaj të njëjtat nuk mund të procedohen si fletëvotime”, ka thënë PZAP-ja në vendimin e saj.
PZAP-ja më tej thotë se pretendimi i VV-së se në këtë rast, “me mosdërgimin në QNR për t’u numëruar këto fletëvotime, votuesve iu është cenuar apo mohuar e drejta për të zgjedhur sikurse garantohet me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është i pabazuar, për arsye se me asnjë veprim apo vendim KQZ-ja nuk ua ka mohuar të njëjtëve të drejtën për të votuar pasi që për ta shfrytëzuar të drejtën kushtetuese për të votuar dhe zgjedhur, janë përcaktuar rregullat se si mund të shfrytëzohet kjo e drejtë, siç është përcaktuar me nenin 96 paragrafi 2 i LZP-së, dhe neni 4 paragrafi 4 i Rregullës Zgjedhore nr.03/2013 të KQZ-së, çka do të thotë se të njëjtat duhet të arrijnë në KQZ në afatin prej 24 orëve para ditës së zgjedhjeve”.
PZAP-ja thotë se kundër këtij vendimi mund të ankohen në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve pas marrjes së këtij vendimi, ndërkaq, Gjykata Supreme ka kohë 72 orë për të marrë vendim pas ankesës.