Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka njoftuar se ankesa e paraqitur më 1 qershor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, është pranuar si e bazuar nga organi kompetent.
Sipas vendimit, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe liderit të saj, Albin Kurti, u është konstatuar shkelja lidhur me pjesëmarrjen e fëmijëve në aktivitetet e fushatës zgjedhore. Për këtë arsye, LVV-së i është shqiptuar një gjobë në vlerë prej 5,100 eurosh.
Po ashtu, partia është obliguar që gjobën e shqiptuar ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, i cili ka theksuar se institucioni që ai përfaqëson, përmes aktivizmit publik, vazhdon të mbrojë dhe promovojë të drejtat dhe liritë e njeriut, me theks të veçantë të drejtat e fëmijëve.
“IKD mban përgjegjës dhe kërkon llogaridhënie nga shkelësit e ligjit, edhe në rastet kur shkelës i të drejtave të fëmijëve është Kryeministri në detyrë dhe lideri i partisë më të madhe në vend”, ka deklaruar Miftaraj.
Ai ka shtuar se mbrojtja e fëmijëve dhe respektimi i shtetit ligjor janë parime për të cilat nuk duhet të ketë kompromis.
“Me shtetin ligjor dhe mbrojtjen e fëmijëve s’ka kompromis”, ka përfunduar ai.