Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka vlerësuar se puna e policëve është ndër profesionet më të vështira dhe më pak të vlerësuara në vend.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka theksuar se kjo kategori meriton trajtim të veçantë institucional për shkak të rrezikshmërisë dhe përgjegjësisë që bart.
“Po, shiko tani. Fillimisht më lejoni të them që puna e policëve është një punë shumë e vështirë, një punë shumë me vështirësi, një punë që fare pak çmohet nga populli i Kosovës, e mos të flasim nga institucionet e Kosovës. Të mos harrojmë që nëse një punë ka rrezikshmëri, është puna e policisë dhe e policëve, të cilët shërbejnë 24 orë, janë në shërbim të popullit të Kosovës, janë në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Dhe mendoj që duhet një trajtim i veçantë për këtë kategori të rëndësishme të vendit. Mendoj që ata kanë shumë vështirësi, sidomos gjatë këtyre 4–5 viteve të fundit, e që nuk është dashur të kenë. E kam fjalën për çështjen e pajisjeve, me çështjet logjistike, duke filluar nga uniforma e deri te pajisjet elementare që u duhen për punë. Dhe shpesh kemi biseduar, kemi debatuar edhe në studio televizive, edhe në sallën e Kuvendit të Kosovës, edhe në komisionet parlamentare”, tha Qalaj për Ekonomia Online.
Ai tha se nuk është e lehtë për policët kur ende diskutohet mungesa e këpucëve, uniformave e paisjeve të tjera logjistike.
“Mendoj që Policia e Kosovës ka kaluar një periudhë mjaft të vështirë për shkak se edhe nga aspekti emocional, nuk është e lehtë për një polic kur flitet nëpër studio televizive për mungesën e këpucëve, e uniformave, për mungesën e fotokopjuesve, për mungesën e pajisjeve e pjesëve për vetura dhe të gjitha pajisjeve elementare që atyre u duhen për punë. Dhe pastaj, cili është motivi? E kemi një situatë jo të mirë sa i përket mirëqenies së tyre, pagave të tyre, pagesës së rrezikshmërisë dhe të gjitha atyre kujdestarive që i kanë, e që në fakt duhet të jenë prioritet, meqenëse Policia e Kosovës, uniforma, Ushtria e Kosovës nuk duhet të varen shumë nga qëndrimet e partive politike, por duhet një trajtim institucional ashtu siç i hije”, tha Qalaj.
Duke folur për pagat e punonjësve që paguhen nga buxheti i Kosovës, Qalaj u shpreh i pakënaqur me nivelin aktual të tyre, duke ia atribuar këtë edhe rritjes së kostos së jetesës dhe inflacionit.
“Po, fillimisht më lejoni të them që unë nuk jam i kënaqur fare me asnjë kategori që merr pagë nga buxheti i Kosovës, meqenëse kemi një jetë shumë të shtrenjtë, kemi një degradim të situatës ekonomike në vend, kemi një inflacion shumë të lartë dhe mendoj që Qeveria e Kosovës ka dështuar sa i përket trajtimit të punonjësve të institucioneve të Kosovës, e sidomos kur flasim për Policinë dhe Ushtrinë.
Mendoj që pagat janë mjaft të ulëta. Puna e policisë është e tillë që kërkon punë të vazhdueshme, jo vetëm gjatë orarit të punës, mirëpo edhe më shumë, dhe nuk kanë mundësi ata që të merren me ndonjë punësim të dytë apo ndonjë aktivitet tjetër. Shpeshherë nuk kanë kohë as për të mbështetur familjen me ato punë elementare që i kemi ne si qytetarë. Prandaj mendoj që është koha e fundit që të mendohet seriozisht që të ngrihen pagat për të gjithë, por sidomos për uniformën e shenjtë të Policisë së Kosovës”, tha ai.
Sa i përket buxhetit të ndarë për Policinë e Kosovës, ai tha se problemi nuk qëndron vetëm te ndarja e mjeteve, por edhe te realizimi i tyre.
“Fare pak, mos të them fare. Për shkak se është diçka tjetër kur ti ndan buxhet, por është diçka tjetër kur buxhetin nuk e harxhon, nuk e shpenzon, nuk e dedikon aty ku duhet. Pra, nëse i shikojmë dokumentet, Ligjin për Buxhet, ka një rritje të buxhetit, mirëpo nëse shikojmë se sa ky buxhet realizohet, atëherë lë shumë për të dëshiruar. Mendoj që investimi duhet të jetë shumë më së pari në trajnimin dhe zhvillimin profesional të policëve, e pastaj edhe për pajisjet e të gjitha ato që u duhen për një punë efektive të Policisë së Kosovës”, shtoi Qalaj.
Qalaj foli edhe për përgjegjësinë e menaxhmentit të Policisë së Kosovës, duke thënë se drejtuesit duhet të jenë më aktivë në sigurimin dhe menaxhimin e buxhetit.
“Po jo, unë mendoj që lidershipi i Policisë së Kosovës, menaxhmenti i lartë, duhet të jetë shumë më efektiv në punët që ka, meqenëse ata e kanë buxhetin. Drejtori i Policisë dhe stafi i tij duhet të luftojnë, të kërkojnë vazhdimisht nga ministri përkatës, nga Qeveria, buxhet shtesë dhe pastaj atë buxhet ta trajtojnë si duhet, t’i zhvillojnë procedurat e prokurimit si duhet dhe me kohë, e të mos lejojnë që polici të jetë pa uniformë për 4–5 vite. Ne e pamë tani që, me sa duket, fatmirësisht është nënshkruar një kontratë për uniformat e Policisë, mirëpo gjendja e tyre ka qenë e mjerueshme. Dhe duhet kërkuar përgjegjësi te secili individ i cili nuk është në gjendje t’i kryejë detyrat ashtu siç duhet”, tha në fund ai.