Qalaj: Policia ka shkatërruar banda kriminale në veri, gjendja e sigurisë më e mirë se në 2018

Prishtinë | 04 Jan 2020 | 07:59 | Nga Pranvera Behluli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjendja e sigurisë në veri të vendit është shumë më e mirë krahasuar me vitet e kaluara. Atje Policia e Kosovës ka arritur që në masë të madhe të shkatërrojë bandat kriminale.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një intervistë për Ekonomia Online tha se në pjesën veriore Policia e Kosovës po vepron dhe punon pa asnjë problem derisa edhe bashkëpunimi me qytetarët e atjeshëm është shumë më i mirë krahasuar me vitet e kaluara.

“Unë mendoj që nëse flasim për sukses të policisë së Kosovës dhe i referohemi pjesës veriore të vendit mund të them që suksesi është që në veri policia punon dhe kryen punën policore pa asnjë problem. Gjendja e sigurisë është më e mirë në krahasim me vjetët e kaluara. Qytetarët kanë filluar t’i besojnë policisë së Kosovë më shumë në pjesën veriore se sa viteve e kaluara dhe ka filluar një bashkëpunim më i madh ndërmjet qytetarëve dhe policisë së vendit edhe në pjesën veriore”.

“Ne do të veprojmë çdoherë aty ku ka nevojë që të bëjmë arrestimin e të dyshuarave dhe dërgimin e tyre para organeve të drejtësisë pavarësisht se ku veprojnë dhe jetojnë. Policia ka arritur që të shkatërrojë mjaftë grupe kriminale në mbarë vendin edhe në pjesën veriore dhe policia e Kosovës do të punojë që t’i trajtojë njëjtë të gjithë”.

Në këtë intervistë për Ekonomia Online, Qalaj ka folur edhe për statistikat e përgjithshme të rasteve të ndryshme kriminale të cilat krahasuar me vitet e kaluara kanë pasur rënie të dukshme.

“Mund të them që në fillim të çdo viti edhe institucioni i ynë harton objektivat për vitin e ardhshëm, mund të them që ka qenë qëllimi i yni që të kemi reduktim të rasteve në masën 5 për qind dhe rritje të zbulueshmërisë së rasteve në nivel vendi. Mund të them që këto parametra janë tejkaluar disa herë. Mund të them që numri i rasteve të paraqitura në Policinë e Kosovë nga 1 janari i 2019 deri më 23 dhjetor të 2019 ka shënuar një rënie prej -9.04 për qind ndërsa numri i veprave penale të cilat kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe kohore deri më 23 dhjetor është -16.21 për qind”.

“Mund të them që është inkurajuese sidomos rënia e veprave penale kundër pasurisë, mund të them që këtë vit kemi një numër rekord të rënieve. Numri i vjedhjeve ka shënuar ulje -23.2 për qind, numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar ulje, numri i grabitjeve ka shënuar ulje – 41.7 për qind pastaj kemi pasur një numër në rënie mjaftë të rasteve që kanë ndodhur në objektet e trashëgimisë kulturore fetare -13.25 për qind dhe kemi pasur shumë më pak raste ndëretnike, raste ku të dyshuar dhe viktimë janë pjesëtarët  e komuniteteve të ndryshme në Kosovë dhe kjo rënie është -40 për qind”.

E duke folur për vrasjet në Kosovë, Qalaj tha se numri i vrasjeve ka shënuar rënie -36.3 për qind.

“Kemi një numër mjaft të madh të veprave penale kundër trupit dhe kundër jetës të cilat janë në rënie p.sh rasti i vrasjeve ka shënuar rënie -36.3 për qind, numri i lëndimeve të rënda trupore ka rënë -13 për qind, numri i lëndimeve të lehta trupore ka shënuar ulje -10.3 për qind. Edhe në fushën e komunikacionit rrugor, këtë vit kemi më pak persona të vdekur, gjithmonë po i referohem periudhën kohore 1 janar – 23 dhjetor 2019 dhe numri i personave këtë vit është më pak -10.58 për qind e personave të vdekur në aksidente trafiku. Ne duhet ta ndryshojmë kulturën e vozitjes dhe sjelljes në komunikacion në vendin tonë”, tha Qalaj për Ekonomia Online.

Shqetësuese për të tha se mbetet dukuria e vetëvrasjeve.

“Dukuria e vetëvrasjeve në Kosovë është mjaftë e theksuar që nga paslufta. Për momentin nuk kam statistika, këto do ti japim në fillim të janarit kur do ta bëjmë prezantimin e raportit vjetor. Mund të them që është mjaftë shqetësuese”.

Të ngjashme