Ka dy vjet që punëtorët e pensionuar të arsimit gjatë viteve 2015 dhe 2016 nga Komuna e Pejës, janë në pritje të ndonjë ftese për seancë nga Gjykata Themelore e Pejës, shkruan sot Koha Ditore.
Ata kanë ngritur padi kolektive në janar të vitit 2017 ndaj Komunës së Pejës për mospagesën e pagave jubilare dhe të tri pagave përcjellëse në pension.
“E kemi paditur Komunën e Pejës për ata punëtorë të arsimit që kanë dalë në pension në vitin 2015 dhe 2016. Në këtë padi kolektive janë të përfshirë 75 punëtorë të pensionuar. Por që nga janari 2017 kur e kemi dorëzuar padinë, neve nuk na ka thirrur gjykata në asnjë seancë deri më sot (5 janar)”, ka thënë kryetari i degës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në Pejë, Isuf Lajqi.