Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, gjatë kohës se pandemisë ka arritur të menaxhojë me sukses punën dhe aktivitetin e vet. Që nga fillimi i këtij veti e deri më tani janë asgjësuar rreth 92 mije kilogram mish dhe produkte të tij si dhe mbi 5 mijë kokrra vezë.
Sipas drejtorit të Shëndetit Publik në këtë agjenci, Flamur Kadriu, pjesa dërmuese e asgjësimeve është bërë me kërkesë të vetë operatorëve ekonomik.
Drejtori i Shëndetit Publik në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Flamur Kadriu, foli për Radio Kosovën lidhur me punën dhe sfidat e kësaj agjencie gjatë kohës së pandemisë. Ai tha se AUV ka hasur në vështirësi gjatë kësaj kohe për shkak të mungesës së stafit, ngase disa prej tyre ishin prekur me Covid-19. Megjithatë, Kadriu tha se e kanë menaxhuar situatën pa ndonjë pengesë. Ai tregoi se si janë ndarë punët gjatë kësaj periudhe të krizës.
“Produktet me origjinë shtazore të cilat mund të paraqesin një rrezik më të madh janë të kontrolluara më shpesh, thertoret, fabrikat e përpunimit të mishit, qumështoret dhe të gjitha produktet me prejardhje shtazore. Këto kontrolle i realizojnë inspektorët veterinarë të cilët nuk kanë qenë te angazhuar në menaxhimin dhe kontrollin e pandemisë. Kurse kontrollet e operatorëve të cilët lidhen më shumë me ushqime me prejardhje jo shtazore, furrat e bukës produkte të cilat paraqesin rrezik më të vogël, i kemi reduktuar. Ky ka qenë ndryshimi që është bërë në ndryshimin e kontrolleve.”
Drejtori i Shëndetit Publik në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, Flamur Kadriu, tha se edhe më herët edhe tani në kohë pandemie kanë hasur në probleme të njëjta gjatë inspektimeve. Produkte me afat të skaduar dhe produkte të dëmtuara. Megjithatë sipas tij, operatorët kanë njoftuar vetë për produkte me afat të skaduar.
“Kjo situata me Covid ka shkaktuar që operatorëve të ndryshëm të mos t’iu shiten produktet edhe për shkak të mos funksionimit të tregut të rregullt. Operatorët kemi vërejtur që kohëve të fundit për mallra që u del afati, ata na njoftojnë vetë.
Edhe për shkak se ato mallra largohen prej taksave ata e kanë të nevojshme të deklarojnë me rregull që taksen të mund ta kthejnë prapa. Inspektorët kanë qenë në vend të ngjarjes gjatë asgjësimit.”
Kadriu tha se gjatë kësaj kohe është rritur numri i asgjësimeve falë kërkesave të operatorëve. Ndërsa ato raste që hetohen nga ana e Agjencisë së Ushqimit, i dërgojnë në gjykatë. Ndryshe AUV, gjatë këtij viti ka asgjësuar rreth 92 mije kilogram mish dhe produkte të tij si dhe mbi 5 mijë kokrra vezë. Sipas AUV, sasia më e madhe e asgjesimeve ka ndodhur ne regjionin e Prishtinës dhe Pejës.