Qelaj: Qeveria nuk po i merr parasysh vërejtjet tona, duhet të reflektoj

Prishtinë | 27 Dhj 2023 | 17:58 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli të pavlefshme disa nene të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Ky vendim i gjykatës erdhi pas ankesave që i dërgoi Avokati i Popullit.

Për këtë të fundit, ky vendim po konsiderohet pozitive.

Naim Qelaj në një prononcim për Front Online ka thënë që vendimi i Kushtetueses është i drejtë.

“Vendimi është i drejtë, i plotë dhe tash vetëm presim me reflektu. I kemi kontestuar, i kemi konsideruar si diskriminuese dhe kundër parimeve kushtetuese janë pikërisht ato dispozita ligjore që janë ndryshuar, kështu po e shohim si pozitive”, u shpreh ai.

Qelaj thotë se nuk është hera e parë që ligjet e Qeverisë “Kurti” po hedhen poshtë.

Sipas tij, kjo po ndodh për shkak që Qeveria nuk po i merr parasysh vërejtjet.

“Unë konsideroj që në raste të tilla ekzekutivi nuk po i marrin parasysh vërejtjet dhe kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, edhe kësaj radhe iu ka referu pikërisht vendimeve të mëhershme. Ne kemi raste të tjera që ka ndodh e njëjta situatë që është ligji për zyrtarët publikë, ligjet tjera, po shpresojmë që në të ardhmen ekzekutivi, grupet punuese që hartojnë ligje me qenë më të kujdesshëm që me i përfshi vërejtjet e komentet që i jep Gjykata Kushtetuese”.

Qelaj thotë se Qeveria nuk ka qenë e gatshme t’i bëjë ndryshimet, për këtë edhe po përsëriten ligjet.

“Ligjin aktual të pagave para se me hartu Qeveria, i kemi dhënë komentet, e qëndrimet tona, përputhshmërinë me ato çka ka konstatuar Gjykata Kushtetuese në dy aktgjykimet e mëhershme dhe kemi kërkuar që me reflektu, por nuk ka pasur vëmendje të mjaftueshme ose gatishmëri në ndërmarrjen e veprimeve dhe po vijmë te kjo situata ku po përsëriten ndryshimet e ligjit dy herë brenda një periudhe”.

Sipas njoftimit të Kushtetueses personave të cilëve iu zvogëlua paga me hyrjen në fuqi të Ligjit për paga, do të vazhdojnë të marrin pagën që e kanë pasur para hyrjes në fuqi të Ligjit të pagave, ndërsa atyre që iu ka ngritur paga me këtë ligj, nuk do të ketë ndryshime.

Të ngjashme