Qendra Këshilluese “Amerika” inauguron hapësirat e reja punuese

Prishtinë | 25 Sht 2018 | 16:50 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e 10-vjetorit të themelimit, Qendra Këshilluese “Amerika” ka inauguruar hapësirat e reja punuese në objektin e Fakultetit të Edukimit.

Erëblir Kadriu, drejtor i qendrës amerikane, në fjalën e tij para të pranishmëve tha se do të vazhdojnë të punojnë e të zhvillojnë programe të reja, raporton Ekonomia Online.

“Sot festojmë me suksesin e studentëve tanë. Sot festojmë edhe partneritetin që kemi me secilin nga ju individë dhe institucione nga e gjithë Kosova. Kemi kaluar 10 vite të punës dhe suksesit. Përgjatë këtyre 10 viteve, kemi pasur 10 mijë prezantime dhe mbledhje informuese, kemi vazhduar me mbi 100 vizitorë çdo ditë”.

“Kjo është një kohë që ne po e falënderojmë ndihmën e secilit që është këtu, por edhe për ata që nuk janë. Qendra amerikane nuk do të ishte e mundur që të qëndronte pranë jush nëse nuk do të ishte zyra e ambasadës amerikane në Prishtinë. Gjatë këtyre 10 viteve, qendra amerikane është rritur shumë. Ne do të vazhdojmë me zhvillimin e programeve të tjera”.

Ndërsa Richard Mei, nga Ambasada amerikane, vlerësoi punën e kësaj qendre duke thënë se kjo qendër me punën e saj është një ndër qendrat më aktive në Ballkan, raporton EO.

“Ju të gjithë e dini vlerën e qendrës amerikane. Një eksperiencë e tij mund t’ju ndryshojë juve si karakter por edhe në të gjitha qendrat e jetës. Nuk ka vend më të mirë se qendra amerikane për t’ju përgatitur për një gjë të tillë. Kjo është ndoshta qendra më aktive këshilluese amerikane në Ballkan dhe në këto 10 vite ka ndihmuar më shumë se 10 mijë studentë që të studiojnë në Amerikë”.

Zëvendësministri i MAShT-it, Heset Sahiti, tha se kjo qendër ka ndihmuar nxënës të shumtë për rrugën e tyre drejt studimeve në Amerikë.

“Kam nderin që marr pjesë në këtë 10-vjetor të qendrës dhe në veçanti në përurimin e zyrave të reja të kësaj qendre. Kjo qendër brenda këtyre viteve ka dhënë një kontribut të madh për studentët dhe studiuesit që dëshirojnë të ndjekin studimet e tyre në Amerikë”.

“Kjo qendër ka bërë angazhime të shumta për nxënës të shkollave të mesme që duan të aplikojnë në kolegjet amerikane. Këto aktivitete janë të rëndësishme dhe ndihmojnë nxënësit se çfarë duhet të bëjnë”.

Se qendra amerikane është e mirëseardhur për Fakultetin e Edukimit e tha edhe dekani i këtij fakulteti, Etem Çeku.

“Patëm opinione se ne kemi vështirësi për hapësira si universitet, por nuk hezituam sepse marrëveshja për fakultetin tonë ishte me shumë privilegje. Qendra për neve do të jetë shumë e mirëseardhur”.

Në fund të shënimit të 10-vjetorit, qendra këshilluese amerikane ndau certifikata për kontribuesit gjatë këtyre viteve.

Të ngjashme